Dy ditë para takimit të 27 shkurtit, Kurti dhe Chollet flasin për propozimin evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Këshilltarin e lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, si vazhdimësi e mirëmbajtjes së një komunikimi të  rregullt, veçanërisht tani në prag të takimit të së hënës në Bruksel.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se gjatë kësaj bisede, Kurti konfirmoi qëndrimin e tij për propozimin evropian si bazë të mirë për bisedimet e mëtutjeshme drejt normalizimit të marrëdhënieve.
Për marrëdhënie normale, evropiane e të fqinjësisë së mirë, Kryeministri Kurti theksoi që përveç njohjes reciproke në qendër të marrëveshjes, duhet t’i konsiderojmë edhe të drejtat e pakicave kombëtare.
Kurti falënderoi Chollet për mbështetjen përgjatë procesit të dialogut dhe vëmendjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e posaçërisht të z. Chollet personalisht.
“Gjatë kësaj bisede, z. Chollet u njoftua nga Kryeministri që sot në Kosovë, bashkë me 12 gazetarët ukrainas, kemi shënuar njëvjetorin e agresionit duke përkujtuar viktimat por edhe luftën e drejtë çlirimtare të popullit ukrainas”, thuhet në komunikatën e dërguar për media nga zyra e kryeministrisë./21Media

Back to top button