Dy persona u arrestuan, 7 u proceduan penalisht për vjedhje të rrymës

Policia e Shetit Shqiptar sot ka informuar se janë evidentuar 9 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me ç’rast janë arrestuar në flagrancë dy shtetas, në Tiranë dhe në Lezhë, si dhe janë proceduar 7 të tjerë në Shkodër.
“Si rezultat, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 5 është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., banues në Bathore, pasi kishte ndërhyrë në matësin elektrik të marketit të tij, me qëllim për të vjedhur energjinë elektrike. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ll. Sh., banues në Tale, Lezhë, pasi u konstatua se kishte bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike në banesën e tij.”, është bërë e ditur në njoftim.
Sipas policisë, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër janë proceduar penalisht shtetasit: G. A., E. B., L. H., Gj. Sh., L. H., S. P. dhe M. P., pasi gjatë kontrollit është konstatuar se kishin bërë ndërhyrje në matësin elektrik në banesat e tyre.
Gjithashtu, siç është informuar, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., banues në Milot, Kurbin, më detyrë elektricist/faturist pranë OSHEE-së, pasi nuk ka kryer kontrolle periodike për lidhjet e energjisë elektrike, në zonën që mbulon.
“Strukturat e Policisë do të vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, për të parandaluar, evidentuar dhe goditur paligjshmërinë në cilëndo fushë që ajo shfaqet. Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të paligjshmërisë.”, ka informuar tutje policia./21Media

Back to top button