Dy projekte të rëndësishme infrastrukturore morën miratimin nga Trupa Drejtuese Ndërministrore

 

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi sot mbajti takim me Trupën Drejtuese Ndërministrore për zhvillimin e projekteve të rëndësishme rrugore, me ç’rast dy projekte të rëndësishme infrastrukturore morën miratimin nga Trupa Drejtuese Ndërministrore

Në këtë takim, siç informoi ministria, ishin të parapara tri pika të rendit të ditës: konstituimi i trupës drejtuese, aprovimi për inicimin e vazhdimit të punimeve në autostradën Gjilan-Dheu i Bardhë dhe aprovimi i procedurave për sigurimin e fondeve për autostradën Prishtinë-Merdare. Pas diskutimeve që u zhvilluan, në parim të gjithë ishin pro zhvillimit të këtyre projekteve strategjike për vendin.

Ministri Abrashi, siç informoi MI, tha se autostrada Prishtinë-Gjilan, është një projekt në vazhdim i iniciuar nga Qeveria e Kosovës, ku aktualisht punimet janë duke u zhvilluar në pjesën e parë dhe duhet vazhdojmë edhe në segmentin e mbetur të planifikuar deri në pikën kufitare Dheu i Bardhë.

“Kjo pjesë e mbetur e autostradës do të sigurojë një lidhje dhe lëvizshmëri më të mirë për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, e posaçërisht të rajonit të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës me Prishtinën dhe korridorin X”, tha Abrashi.

Ndërsa, projekti i vazhdimit të autostradës Prishtinë-Merdare, sipas komunikatës, përfshin segmentin e fundit.

Ministri tha se kjo rrugë përshkon Kosovën nga Vërmica në Merdare, me një gjatësi totale prej 128 kilometra dhe siguron qasjen e Kosovës në rrjetet rrugore Evropiane, duke përmirësuar lidhjet me vendet e tjera të Ballkanit.

Pjesë e kësaj trupe janë Ministria e Ekonomisë dhe Ambinetit, që u përfaqësua nga zëvendësministri Muharrem Nitaj, Ministria e Financave nga zëvendësministri Agim Krasniqi, Ministria e Pushtetit Lokal, nga ministri Goran Rakiq dhe kryesuese e Trupës Ministria e Infrastrukturës, nga ministri Arban Abrashi./21Media

Back to top button