Dyfishohet numri i shtretërve në Klinikën e Psikiatrisë

Ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjitshëm të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, Narqize Arënliu- Hoxhaj, ka vizituar Klinikën e Psikiatrisë, në të cilën së fundmi është bërë riorganizimi i reparteve dhe shtimi i kapaciteteve me shtretër.
Bëhet e ditur se drejtori i kësaj klinike, Faton Kutllovci, e njoftoi drejtoreshën, se në kuadër të riorganizimit, është hapur Reparti i ri i Sëmundjeve të Varësisë, me ç’rast është dyfishuar numri i shtretërve, nga 6 sa kishte, në 12 shtretër.
Sipas tij, në kuadër të ish- Repartit të Sëmundjeve të Varësisë, sot është hapur Reparti i ri, që nuk ka ekzistuar më parë, Reparti i Çrregullimeve Akute- Psikotike, i cili do te ketë 6 shtretër.
Drejtoresha Arënliu- Hoxhaj, përgëzoi stafin e klinikës për këtë riorganizim dhe hapjen e shërbimeve të reja, duke ofruar mbështetjen dhe përkrahjen e ShSKUK për zgjerim dhe avansim të mëtejmë të shërbimeve në Klinikën e Psikiatrisë.

Back to top button