Dymbëdhjetë anije u larguan nga portet ukrainase

Dymbëdhjetë anije u larguan nga portet e Detit të Zi të Ukrainës të hënën, pavarësisht se Rusia u tërhoq nga marrëveshja e drithit e ndërmjetësuar nga OKB-ja në fundjavë, tha një zyrtar ukrainas.
Oleksandr Kubrakov, ministri i infrastrukturës së vendit, tha se OKB-ja dhe Turqia do të inspektojnë anijet, një proces që zhvillohet pranë qytetit turk të Stambollit. Moska ishte informuar, shtoi ai.
“Sot 12 (anije) u larguan nga portet. Delegacionet e OKB-së dhe turke ofrojnë 10 ekipe inspektimi për të inspektuar 40 anije që synojnë të përmbushin Iniciativën #BlackSeaGrain. Ky plan inspektimi është pranuar nga delegacioni (ukrainas)”, shkroi Kubrakov në Twitter.
Një nga anijet që nisi të hënën ishte e ngarkuar me 40 mijë tonë drithë, me destinacion Etiopinë, shtoi ai, përcjell rtv21.tv
Ministri tha se katër anije ishin gjithashtu në rrugë për në Ukrainë pasi u inspektuan në ngushticën e Bosforit të dielën, nga një ekip që përfshinte përfaqësues nga OKB-ja, Turqia, Ukraina dhe Rusia.
Përditësimi i tij pasoi një njoftim nga OKB-ja të dielën se 12 anije do të largoheshin nga Ukraina përmes korridorit detar më 31 tetor.
Kremlini njoftoi të shtunën se do të ndalojë pjesëmarrjen e tij në marrëveshjen e eksportit të grurit me Kievin pas sulmeve me dronë në qytetin e Krimesë, Sevastopol, raporton CNN
Vendimi i Rusisë për t’u tërhequr nga marrëveshja shkaktoi shqetësimin e zyrtarëve perëndimorë, pasi Programi Botëror i Ushqimit vlerësoi se dhjetëra miliona njerëz kaluan në një fazë të urisë akute si pasojë e luftës në Ukrainë./21Media

Back to top button