Dyshohet se përfituan 25 mijë euro kundërligjshëm, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj një avokateje dhe një përmbaruesi privat

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, Njësiti për Krime Ekonomike dhe Korrupsion, përmes një komunikate për media ka njoftuar se pas një pune të gjatë dhe të suksesshme hetimore ka ardhur në përfundim se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në veprimet e të pandehurës Sh.Sh, në cilësinë e avokates dhe përfaqësueses së palës së dëmtuar, janë plotësuar elementet e veprës penale Ushtrimi i Ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së.
“Ndërkaq, gjithashtu ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri I.I., në cilësinë e përmbaruesit privat, duke keqpërdorur detyrën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veten dhe tjetrin, në mënyrë të kundërligjshme ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare, me të cilat veprime ka kryer veprën penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 2 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Prokuroria potencon se të pandehurit me veprimet e tyre kanë realizuar përfitim të kundërligjshëm pasuror, si dhe të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material në vlerë prej 25,000 € (njëzet e pesë mijë Euro).