Kaloni te përmbajtja kryesore

“Kurti s’është model i së majtës”, Kuçi kritikon VV-në

(Lajm i përditësuar)

“Kurti s’është model i së majtës”, Kuçi kritikon VV-në

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RTV21 ka kritikuar mënyrën e ushtrimit të pushtetit nga Albin Kurti, duke thënë se qasja e tij politike synon përqendrimin e plotë të pushtetit.

Ajo tha se ka shembuj të qeverisjes së majtë në botë që zakonisht nuk synohet ”kapja e pushtetit” ndërsa sipas saj kjo nuk po respektohet në rastin e Kurtit.

“Kurti po e don krejt pushtetin për veti edhe po don me e çu vendin në zgjedhje deri sa me fitu krejt atë që do me fitu”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se, sipas saj, ka shembuj në botë ku e majta qeverisëse nuk synon përqendrimin e të gjithë pushtetit në një dorë.

“Ka shumë shembuj në botë që e majta qeverisëse mirë nuk e synon të gjithë pushtetin. Kurti nuk është fare shembull”, u shpreh Kuçi.


“VV nuk është e majtë”, Kuçi: Kurti më shumë populist se socialdemokrat

Natyra Kuçi ka vlerësuar se qasja politike e Lëvizja Vetëvendosje nuk përputhet me ideologjinë e majtë apo socialdemokrate.

Ajo tha se udhëheqësi i saj, Albin Kurti, më shumë shfaqet si figurë populiste sesa si përfaqësues i së majtës tradicionale politike.

“Nuk është parti e majtë as socialdemokrate. Kurti është më shumë populist sesa që ka të bëjë me të majtën”, deklaroi Kuçi.

Sipas saj, kjo qasje ndikon në mënyrën se si perceptohet politika e VV-së në raport me ideologjitë klasike politike.


Kuçi: Adriana Matoshi e Agim Bahtiri në frymen e Kurtit, pa VV s’i marrin votat

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RTV21 ka komentuar ndikimin e figurave publike brenda Lëvizja Vetëvendosje, duke thënë se një pjesë e votuesve ndikohet nga fama dhe jo vetëm nga programi politik.

Ajo përmendi se disa prej figurave më të njohura të VV-së, përfshirë Adriana Matoshi dhe Agim Bahtiri, sipas saj, janë të lidhur ngushtë me “frymën politike” të kryeministrit Albin Kurti.

“Votuesit e zgjedhin pak edhe ndonjëherë kush është më i famshëm. Edhe Adriana Matoshi edhe Agim Bahtiri janë në kuadër të frymës së Albin Kurtit. Nëse ata dalin nga VV, nuk do t’i marrin votat që i marrin”, tha Kuçi.

Sipas saj, mbështetja elektorale për këto figura është e lidhur drejtpërdrejt me partinë dhe udhëheqjen e saj politike.


Kuçi: S’ka Vetëvendosje pa Kurtin

Natyra Kuçi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje është e lidhur ngushtë me figurën e Albin Kurti, duke theksuar se sipas saj nuk mund të ndahet nga udhëheqja e tij.

Ajo përsëriti qëndrimin se Partia Socialdemokrate nuk do të hyjë në bashkëpunim politik me këtë subjekt për sa kohë Kurti mbetet në krye të tij.

“S’ka Vetëvendosje pa Kurtin”, shtoi Kuçi, duke argumentuar se kjo është arsyeja pse PSD mban distancë politike dhe nuk mbështet koalicione apo marrëveshje me pushtetin aktual.


 ”S’ka koalicione me Kurtin” Kuçi: PSD vendos vija të kuqe ndaj pushtetit autoritar të Kurtit

Natyra Kuçi ka deklaruar se Partia Socialdemokrate nuk do të hyjë në bashkëpunime politike me pushtetin aktual të Albin Kurti, duke vendosur, siç u shpreh ajo, “vija të kuqe” ndaj qeverisjes së tij.

Ajo tha se nuk do të ketë as koalicione politike dhe as mbështetje në procese të rëndësishme institucionale, përfshirë edhe votimin e presidentit, për sa kohë Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje janë në pushtet.

“Vija të kuqe për pushtetin autoritar të Kurtit nuk ka koalicion, nuk ka me ja votu presidentin. Përderisa Kurti është në VV, nuk ka një gjë të tillë”, tha Kuçi.


Kuçi: Kurti nuk rrëzohet vetë, PSD nuk beson në rënien e tij pa veprim politik

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RTV21  ka deklaruar se pritjet e disa aktorëve politikë dhe ndërkombëtarë për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurti nuk janë realiste pa veprim të drejtpërdrejtë politik.

Ajo tha se ka pasur perceptim se qeveria mund të rrëzohej vetvetiu, ose përmes presioneve institucionale dhe ndërkombëtare, por sipas saj kjo qasje nuk qëndron.

“Kemi tentu me thonë të drejtën, me ftesa e takime kanë besu që Kurti rrëzohet vet, kanë mendu që ambasadat do ta rrëzojnë se nuk po punon mirë, kanë mendu që Kurti ka me shku në shtëpi vet”, tha Kuçi.

Megjithatë, ajo shtoi se Partia Socialdemokrate nuk ndan këtë bindje dhe se ndryshimi politik kërkon angazhim më aktiv.

“PSD nuk beson në këtë”, u shpreh ajo.


Kuçi: Opozita në “komoditet”, po i hap rrugë pushtetit autoritar të Kurtit

Natyra Kuçi në ”Click” të RTV21 ka kritikuar ashpër mënyrën e funksionimit të opozitës dhe raportin e saj me pushtetin, duke e cilësuar situatën politike si të pafavorshme për një përballje reale me qeverinë.

Në një deklaratë të saj, ajo tha se disa deputetë të opozitës janë përfshirë në një klimë komoditeti dhe bashkëbisedimesh politike, gjë që sipas saj po e dobëson rolin e tyre në kontrollin e pushtetit.

“Qita deputet të opozitës me qita që po vjedhin miliona në komisione kanë bërë muhabet. Përmes atij komoditeti dhe rehatie, është shumë e vështirë me luftu pushtetin autoritar, se pak edhe po heshtet”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se, sipas saj, pushteti aktual dhe Albin Kurti përdorin qasje të drejtpërdrejtë ndaj individëve politikë, duke ndikuar në dobësimin e rezistencës opozitare.

“Pushteti autoritar dhe persona si Kurti maten me individin, dhe ai individ po thotë nuk mundeni me më luftu, edhe këta po bien pre e tij”, u shpreh Kuçi.


“Nuk jemi rojtarë të askujt”, Kuçi: Jam kandidate e PSD-së, se çke me të

Natyra Kuçi ka deklaruar se Partia Socialdemokrate synon të paraqitet si forcë e pavarur politike që nuk i shërben interesave të askujt tjetër përveç qytetarëve.

Ajo tha se qytetarët tashmë e njohin profilin politik të PSD-së dhe qëndrimet e saj.

“Si PSD, qytetarët e dinë çka jemi. Nuk jemi rojtar të askujt, nuk jemi duke ia kryer agjendën e askujt. Jam kandidate e PSD-së, çke me të”, deklaroi Kuçi.

Sipas saj, partia synon të ndërtojë besim përmes qëndrimeve të drejtpërdrejta dhe distancimit nga ndikimet e jashtme politike.


“E kemi një opozitë të killavtë”, Natyra Kuçi

Natyra Kuçinga PSD-ja ka kritikuar ashpër opozitën në Kosovë, duke e cilësuar atë si të dobët dhe të paorganizuar në përballje me pushtetin.

Në deklaratën e saj, ajo tha se Partia Socialdemokrate po përballet me vështirësi në bindjen e qytetarëve për shkak të, siç u shpreh ajo, një opozite “të killavtë dhe të lodhur”.

“Jemi duke u munduar t’i bindim qytetarët, por nuk e kemi të lehtë sepse e kemi një opozitë të killavtë, një opozitë të lodhur, opozitë që bën koalicione në kohë fushate PDK-LDK, që dërgon sinjale për bizneset dhe shikon si të përfitojë”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se, sipas saj, opozita nuk po arrin t’i kthejë gabimet e qeverisë në përfitim elektoral dhe po mbetet pa ndikim të mjaftueshëm në opinionin publik.


Kuçi: Kurti nuk rrëzohet nga opozita aktuale, por nga PSD-ja po

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RTV21 ka deklaruar se Albin Kurti nuk mund të rrëzohet nga opozita aktuale, por sipas saj, situata do të ishte ndryshe nëse në skenën politike do të kishte një opozitë më të fortë si Partia Socialdemokrate.

“Kurti nuk rrëzohet me këtë opozitë, me opozitën e PSD-së po”, tha Kuçi, duke komentuar balancën aktuale të forcave politike në vend.

Ajo shtoi se mungesa e një opozite më të organizuar dhe më aktive ndikon në mungesën e kontrollit më të fortë ndaj qeverisë.


“Shpenzon 3 mijë euro në muaj”, Kuçi me kritika të forta ndaj Kurtit

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RTV21 ka kritikuar nivelin e pabarazisë ekonomike dhe mënyrën e jetesës së zyrtarëve politikë në Kosovë, duke e lidhur këtë me debatin për qeverisjen e Albin Kurti.

“Problemi është se nëse Albin Kurti i ka 16 euro, dikush tjetër ka 5 milionë pasuri, e dikush tjetër kryetar komune ka miliona tjera pasuri”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se mënyra e jetesës së Kurtit nuk reflekton realitetin e shumicës së qytetarëve.

“Kurti i harxhon 3 mijë euro në muaj, jeton me 5% të popullsisë së pasur, i bie që Kurti jeton mirë”, u shpreh ajo, duke vazhduar kritikat ndaj tij.


“6 deputetë të PSD-së vlejnë më shumë se pushteti e opozita”, deklaron Kuçi

Natyra Kuçi ka deklaruar se PSD-ja do të kishte një rol shumë më aktiv në Kuvend sesa partitë aktuale në pushtet dhe opozitë.

Sipas saj, edhe me një numër më të vogël deputetësh, PSD do të arrinte të ngrinte zërin për çështjet që preokupojnë qytetarët.

“6 deputetë të PSD-së kishin me qenë më të mirë e më të zëshëm se krejt pushteti dhe opozita”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se mbështetjen qytetare synojnë ta fitojnë përmes angazhimit dhe punës konkrete.

“Qytetarët do t’i bindim me vetmohim dhe me punë”, u shpreh Kuçi.


Kuçi: Kurti nuk është një shembull që duhet me u ndjek në politikë

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RTV21 ka kritikuar mënyrën e udhëheqjes së Albin Kurti, duke thënë se ai nuk duhet të shihet si model për gjeneratat e reja në politikë.

Duke folur për perceptimin e të rinjve ndaj politikës, Kuçi tha se shpesh dëgjon komente zhgënjyese nga të rinjtë kur përmendet emri i Kurtit.

“Kurti nuk është një shembull që duhet me u ndjek në politikë. Kur po flas me të rinj e të reja, po më thonë: ‘Kurti na ka dalë keq’”, deklaroi Kuçi.


“Jo gaz lotsjellës, por pengesa PO”, Kuçi: PSD do ta ndalte Kurtin në Kuvend

Natyra Kuçi ka deklaruar se prania e PSD-së në Kuvend do të shërbente si pengesë për kalimin e ligjeve që, sipas saj, janë problematike dhe të dëmshme.

Duke folur për rolin opozitar të PSD-së, Kuçi tha se me gjashtë deputetë në Kuvend, Albin Kurti nuk do të kishte mundur t’i kalonte lehtë ligjet e debatueshme.

“Me 6 deputetë të PSD-së në Kuvend, Kurti kurrë nuk kish mujt me i kalu ligjet problematike që i ka kalu. Nuk po them që e kallim Kuvendin apo përdorim gaz lotsjellës, veç protesta qytetare dhe pengesa demokratike për mos me kalu ligje problematike”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se PSD synon të ushtrojë presion politik përmes mjeteve demokratike dhe reagimit qytetar, në rastet kur vlerësohet se vendimet e qeverisë bien ndesh me interesin publik.


“Vetë e zgjedhim kur përballemi me VV-në”, Kuçi flet për strategjinë e PSD-së në zgjedhje

Natyra Kuçi ka deklaruar se PSD-ja ka zgjedhur që fushatën e saj politike do ta bëjë për të paraqitur, sipas saj, atë që aktualisht i mungon opozitës në vend.

Duke folur për zgjedhjet dhe strategjinë elektorale, Kuçi tha se PSD po synon të ndërtojë një qasje të ndryshme politike në raport me partitë tjera opozitare.

“Fushata është që PSD ka zgjedhur me bo për me tregu një herë çfarë besojmë se opozitës i mungon në vend. E dyta, ne vetë zgjedhim kur vendosim me bo fushatën për VV-në”, deklaroi Kuçi.


“Vjosa Osmani si ‘Kali i Trojës’ në LDK”, Natyra Kuçi: Veprimet e saj çuan drejt shkatërrimit LDK-në

Natyra Kuçi nga PSD-ja në ”Click” të RV21 ka komentuar raportet politike mes Vjosa Osmani dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e krahasuar Osmanin me “Kalin e Trojës” brenda LDK-së, duke u ndërlidhur me aksionin e sotem të PSD-së.

“Ne besojmë se Vjosa Osmani është ‘Kali i Trojës’ në LDK. Është një episod politik që ka vendosur me e çu Albin Kurtin me u bë president, në kohën kur u pa se Kurti ishte autoritar”, deklaroi Kuçi.

Ajo shtoi se Osmani nuk është rikthyer në LDK në mënyrë tradicionale politike, por kishte krijuar një listë të veçantë zgjedhore me veten si bartëse, gjë që sipas saj shkaktoi përçarje dhe largimin e figurave të rëndësishme nga partia.

“Një krahasim me ‘Kalin e Trojës’ nuk është denigrim. Denigrim është me i thanë tjetrit ‘je me Serbinë’. Krahasimi me ‘Kalin e Trojës’ nuk është lavdërim. Nëse Vjosa Osmani ka shkuar në LDK duke e ditur se ka njerëz që kanë kontribuar në LDK, për mua është shkatërrim i LDK-së”, u shpreh Kuçi./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button