E përjashtoi nga PD, Alibeaj i përgjigjet Berishës: Humbësi i madh i zgjedhjeve paska gjetur armiq të rinj

Akuzat në distancë kanë shoqëruar edhe këtë të shtunë ish kreun e komanduar të PD, Enkelejd Alibeajn si dhe ish liderin historik të kësaj force politike, Sali Berisha.

Ky i fundit futi në “listë të zezë” Alibeajn, duke e përjashtuar nga PD. Ky vendim i Berishës ka marrë një përgjigje nga Alibeaj, i cili shkruan se humbësi më i madh i zgjedhjeve vendore ka gjetur armiq të rinj.

Ai akuzon Berishën se është shkaktar i ndarjes së demokratëve dhe sipas tij disfata e 14 maj erdhi si pasojë e koalicionit të ish kryedemokratit me Ilir Metën.

“Humbësi i madh i zgjedhjeve të 14 majit paska gjetur sot armiq të rinj, duke publikuar dhe listën e të përjashtuarve të radhës. I zhytur në disfatën që i solli demokratëve dhe opozitës, sindroma e komunizmit i rikthehet si përherë kur humb duke shpallur grupe armiqësore. Shqiptarët e kanë të qartë se shkaku i përçarjes së opozitës është Sali Berisha, sikundër aleanca e tij me Ilir Metën ka prodhuar këshilltarë të LSI me votat e demokratëve në çdo këshill bashkiak. Bashkëpunimi i Sali Berishës dhe Ilir Metës në kurriz të demokratëve dhe shqiptarëve është një nga arsyet pse pati refuzim masiv në 14 maj dhe që e mban në këmbë regjimin e Edi Ramës”, ka shkruar Alibeaj në Facebook.

Sali Berisha u shpreh se pas dorëheqjes si kryetar i PD dhe kryetar i Grupit Parlamentar, Alibeaj do të jetë i përjashtuar nga partia njësoj si Basha./vizionplus

Back to top button