E-prokurimi mundëson transparencë, efikasitet dhe llogaridhënie
Ministria e Financave në bashkëpunim me USAID-in, projektin “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”(TEAM), kanë organizuar të martën tryezën “e-Prokurimi, Sfidat dhe Mundësitë”
Aty u elaborua situata në të cilën gjendet e-prokurimi si proces dhe mundësitë për përmirësime në të ardhmen, sidomos tash kur USAID përmes projektit TEAM ka mundësi të asistojë në këtë fushë
Në këtë tryezë morën pjesë zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi, zëvendësdrejtori i misionit të USAID-it Mike de la Rosa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha, drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Stephen Carpenteer, përfaqësues tjerë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, përfaqësues të Shoqërisë Civile përfaqësues të 5 komunave të përzgjedhura për mbështetje Komuna e Prishtinës, Komuna e Gjakovës, Komuna e Pejës, Komuna e Gjilanit, si dhe komuna e Vushtrrisë.
Drejtori i projektit të USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” Stephen Carpenteer, theksoi se projekti i USAID-it EKIPI (TEAM) vjen në kohën e duhur për të ndihmuar Qeverinë e Kosovës në përgjithësi dhe KRPP, në veçanti për të përfunduar me sukses zbatimin e sistemit të prokurimit elektronik.
Ai theksoi se qëllimet e aktiviteteve të EKIPËS janë në përputhje me qëllimet e Qeverisë së Kosovës.
Ndërsa, zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi bëri të ditur se kërkesa për forcimin e llogaridhënies dhe efektivitetit në prokurimin publik si mjet për përmirësimin e shërbimeve publike dhe rritjen e besimit të publikut duke filluar nga niveli komunal e deri te ai qendror, është edhe kërkesë e Ministrisë së Financave.
Sipas tij, projekti i USAID-it “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse” do të ofrojë asistencë të plotë në pesë komunat e përzgjedhura për t’u vënë në fokus me anë të monitorimit, trajnimit dhe udhëzimit nga dita në ditë, për të krijuar sisteme të cilat do të përmirësojnë mënyrën se si ato japin llogari për fondet dhe shpenzimet publike.
Zëvendësdrejtori i Misionit të USAID-it në Kosovë, Mike De La Rosa, theksoi se USAID mbetet i përkushtuar për të implementuar reformën për parandalimin e korrupsionit, në mënyrë që të rritet besimi në institucionet vendore.
Ai bëri të ditur se ky projekt do t’i mbështesë Qeverinë dhe komunat e Kosovës që përmes e-prokurimit të rritet transparenca dhe llogaridhënia.
Ndërsa, kryetari i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Safet Hoxha duke prezantuar projektin për Prokurimin Elektronik, bëri të ditur se zhvillimi i platformës së e-prokurimit ka filluar në dhjetor të 2014 i financuar nga Banka Botërore që ka qenë pjesë e modernizimit të sektorit publik. Implementimi i tij ka filluar nga janari i 2017.