E sulmuan të dielën, kjo është gjendja e portierit të FC Ballkanit

Ndeshja mes Gjilanit dhe Ballkanit e vlefshme për xhiron e 27 në Superligës së Kosovës e zhvilluar të dielën mori vëmendjen e të gjithëve pas një skandali që ndodhi në minutat shtesë të ndeshjes.
Tifozët e skuadrës së Gjilanit zbritën në fushë dhe e sulmuan fizikisht portierin e Ballkanit, Stivi Frashërin i cili për shkak të lëndimeve u dërgua për trajtim në spital.
Për rtv21.tv nga FC Ballkani kanë treguar se gjendja e Stivit është e mirë, ai është duke u trajtuar nga mjekët e klubit.
Të pyetur se a dihet data se kur Stivi do rikthehet në fushën e blertë, ata kanë thënë se ende nuk dihet, por shpresojnë që kjo të ndodh sa më shpejt.
‘’Gjendja e Stivit është e mire , po përmirësohet . Është duke u trajtuar nga mjeket e klubit , në stërvitje ende nuk ka dal . Nuk kemi ndonjë datë të saktë se kur do kthehet por shpresojmë që sa ma shpejtë ti bashkohet ekipit’’, thuhet në përgjigjen e FC Ballkanit për rtv21.tv
Për rtv21.tv zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka treguar se lidhur me këtë rast janë arrestuar 7 persona.
Hashani ka shtuar se dy nga të arrestuarit janë ndaluar në mbajtje.
‘’Janë arrestuar edhe dy persona të tjerë lidhur me këtë rast dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit ndaj tyre hapet procedim për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” në procedurë të rregullt. Pra gjithsej janë 7 persona pesë nga ta për “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” në procedurë të rregullt gjersa dy ndalen në mbajtje’’, ka thënë Hashani.
Pas ndërprejes së ndeshjes me rezultat 1-1, komisioni i garave sot ka marr vendim që kjo ndeshje të regjistrohet me rezultat zyrtar 3-0 në favor të KF Ballkanit./21Media

Back to top button