“Ecuri pozitive e zgjedhjeve në Shqipëri”

Vëzhguesit vendor në Shqipëri kanë folur për ecurinë e zgjedhjeve në Shqipëri

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka vlerësuar se në tërësi, dita e zgjedhjeve të djeshme në Shqipëri pati një ecuri pozitive të të gjithë procesit, pavarësisht incidenteve të vogla të vërejtura.

Sipas këtij koalicioni, trupa e administrimit zgjedhor, në përgjithësi, pati një sjellje të kënaqshme kundrejt respektimit të dispozitave ligjore dhe respektimit të të drejtave të votuesve.

“Incidentet e vërejtura gjatë procesit të administrimit nga kjo trupë theksojnë edhe një herë domosdoshmërinë e orientimit të kësaj trupe në frymën e zbatimit të ligjit, nevojën e trajnimeve të thelluara dhe domosdoshmërinë e sjelljes së tyre si organizma jopolitike, apartiake dhe jopartizane. Qasja proaktive e institucioneve të tjera të zbatimit të ligjit në adresimin dhe ndjekjen e çështjeve të korrupsionit zgjedhor është një zhvillim shumë pozitiv, i cili rezultoi në organikë me sjelljen institucionale dhe frymën e vërejtur përgjatë periudhës së fushatës zgjedhore, si pasojë edhe e marrëveshjes së 18 majit, pavarësisht problematikave që e kanë shoqëruar atë. Mbetet shumë e rëndësishme që kjo qasje proaktive të demonstrohet me të njëjtin vullnet dhe forcë edhe në vijim, pas mbarimit të procesit zgjedhor, duke i çuar deri në fund organeve të drejtësisë të gjitha çështjet apo rastet e evidentuara, por duke u kujdesur që çdo qasje apo veprim të jetë në respektim dhe zbatim të plotë të ligjit në mënyrë që këto çështje dhe kjo qasje mos të përfundojë si propagande e radhës, e duke riafirmuar edhe njëherë pamundësisë e dhënies së drejtësisë nga organet e zbatimit të ligjit. Vetëm në këtë mënyrë, një qasje e tillë do të evidentohej si një standard i ri e i pakthyeshëm që do të afektonte ndjeshëm dhe në mënyrë pozitive përballjen me problematikat dhe sfidat aktuale të demokracisë shqiptare”, thuhet në komunikatën e koanicionit të Vëzhguesve Vendor.

Sipas koalicionit, partitë politike treguan se maturia, vizioni dhe dalja përtej interesave të ngushta të tyre mbetet një sfidë jo aq e paarritshme dhe e pamundur për to, si organizmat të cilat kanë marrë përsipër përmbushjen e aspiratave demokratike të popullit shqiptar.

“Është e rëndësishme që problematikat e vërejtura, që mund të kenë prekur interesat e tyre, të shtrohen në rrugën e duhur institucionale e ligjore, duke investuar me seriozitet të plotë edhe në investimin e duhur të organeve të drejtësisë zgjedhore. Qytetarët shqiptarë megjithëse të paket në numër në krahasim me proceset e mëparshme zgjedhore, treguan edhe një here qetësi, e kulturë të lartë qytetare duke treguar se aspiratë e larta demokratike e europiane janë një qëllim i palëkundur i tyre, pavarësisht propagandës apo garës elektorale të radhës. Pjesëmarrja e ulët e tyre duhet të shihet si një mesazh i fortë ndaj klasës politike dhe të gjitha institucioneve të zbatimit të ligjit dhe respektimit të interesave, lirive dhe të drejtave të tyre”, thuhet në komunikatë.

Back to top button