Edhe ambasadori gjerman reagon për sulmin ndaj djalit të Rashiqit

 

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka reaguar lidhur me sulmin ndaj Nikolla Rashiqit , djalit të ish- ministrit serb Nenad Rashiq.

Ai përmes një statusi në rrjetet sociale ka thënë se duhet të zbatohet ligji dhe të gjithë të përmbahen nga gjuha e urrejteës pasi që sipas tij është e rrezikshme.

“Lidhur me incidentin e fundit në Llapnasella / Laplje Selo – e rëndësishme për zbatimin e ligjit është të hetohet plotësisht. Të gjithë aktorët duhet të përmbahen nga gjuha inflamatore. Gjuha e urrejtjes është e rrezikshme. Puna e përbashkët drejt një të ardhme të përbashkët për të gjithë në Kosovë është thelbësore.”, ka shkruar Rohde në Twitter.


Ai po ashtu ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka takuar edhe kreun e Listës Serbe Goran Rakiq, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet dhe ngjarjet e fundit politike në Kosovë, pas akuzave për manipulim të votave nga Lista Serbe dhe sulmit fizik ndaj djalit të politikanit serb Nenad Rashiq.

Diplomati gjerman ka kërkuar që të gjithë akterët politikë të tregojnë maturi politike.

“Sapo u takova me Goran Rakiq. Diskutuam për zgjedhjet dhe zhvillimet e fundit politike. Nënvizova rëndësinë që të gjithë akterët të shfaqin pjekuri politike”, ka shkruar Rohde në Twitter.

Djali i ish-ministrit serb, Nenad Rashiqit dje është rrahur nga disa persona në Llapnasellë, me ç’rast ka kërkuar ndihmë mjekësore. Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit ka ndaluar për 48 orë personat me inicialet C.Z., B.Z., M.R., D.N., M.J., D.T., L.K., dhe një të mitur, pasi të njëjtit dyshohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”./21Media

Back to top button