Edhe dy gazetarë ukrainas arrijnë në Kosovë

Dy gazetarë ukrainas, Serhii Shevchenko dhe Liudmyla Mekh kanë arritur këtë të diele në Kosovë.
Gazetarët ukrainas kanë ardhur si pjesë e programit ”Journalists in Residence – Kosovo”. Ata janë vendosur në Prishtinë, dhe do të kenë mundësinë që të vazhdojnë punën e tyre si gazetarë nga Kosova.
Lajmi është bërë i ditur nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku thuhet se ky program financohet nga Qeveria e Kosovës dhe ofron mjete të qerasë për banesë, pagesë mujore dhe sigurim shëndetësor për 20 gazetarët që pritet të mbërrijnë në Kosovë në javët në vazhdim.
”Gazetarët veteranë kanë punuar në media të ndryshme në Ukrainë, dhe janë pjesë aktive e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës (NUJU). Zonja Mekh është themeluese dhe presidente e Fondacionit “Iniciativa e Gazetarëve”, me bazë në kryeqytetin ukrainas, Kiev.
Gazetarët janë pritur në aeroport nga zyrtarja ligjore e European Centre for Press and Media Freedom ECPMF, Flutura Kusari, kryetari i AGK-së, Xhemajl Rexha dhe përfaqësues të MPB-së”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, edhe kryeministri, Albin Kurti përmes një postimi në ”Twitter”, ka thënë se Kosova u bë sot shtëpia e dy gazetarëve të tjerë ukrainas përmes programit Gazetarët në Rezidencë në Kosovë.
”Mirë se vini Liudmyla dhe Serhii. Kombet përcaktohen në kohë grindjesh dhe vështirësish, po kështu edhe njerëzimi. Ne qëndrojmë në solidaritet me Ukrainën”, ka shkruar Kurti./21Media

Back to top button