Në 24 orët e fundit në komunën e Gjilanit kanë vdekur dy pacientë si pasojë e COVID-19. Lajmin e ka konfirmuar i pari i Gjilanit, Lutfi Haziri, në një konferencë për media, teksa ka bërë të ditur se 2 pacientët po trajtoheshin në Spitalin e Përgjithshëm.

Ndërkaq tha se nga 17 rastet e paraqitura sot nga IKSHP, dy janë ritestime, e jo raste të reja pozitive.

“Ngushëllime për familjarët për humbjen e më të dashurve dhe do ta kenë solidaritetin tonë. 682 të infektuar janë në total, prej tyre 468 të shëruar, 186 raste janë aktive, 28 e kanë humbur betejën me COVID, 32 të hospitalizuar dhe për 27 mostra po i presim rezultatet nga IKSHP”, ka thënë Haziri.

Haziri njoftoi se kanë diskutuar çështjen e varrimeve të personave që ndërrojnë jetë nga COVID-19, duke kërkuar nga Qeveria që ta zgjidhë këtë problem sipas protokollit shtetëror./21Media