Edhe Mitrovica shpall Gjendje Emergjente

Reshjet e mëdha të shiut kanë shkaktuar vërshime të mëdha në shumë komuna.
Gjendje Emergjente pas Skënderajt ka shpallur edhe Mitrovica.
“Kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Bedri Hamza, pas vlerësimit të gjendjes së shkaktuar nga reshjet e shiut dhe koordinimit me drejtorinë përkatëse ka formuar-aktivizuar Qendrën Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut.
Me këtë rast, Qendra Operative Emergjente ka mbajtur edhe një takim të jashtëzakonshëm, ku u diskutua për gjendjen aktuale me të cilën po përballet qyteti i Mitrovicës, si pasojë e reshjeve atmosferike.
Hapja e këtij takimi është bërë nga kryetari i komunës, z. Bedri Hamza, i cili pasi i ka njoftuar anëtaret me situatën aktuale në Mitrovicë, ka shpallur gjendje emergjente, si pasojë e të reshurave të dendura të shiut”, thuhet në njoftim të Komunës së Mitrovicës.
Hamza ka theksuar se si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, është rënduar situata në përgjithësi, dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës së Mitrovicës.
Qendra Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut është në përbërje: drejtoritë komunale; Policia e Kosovës, Njësiti i Zjarrfikësve, Forca e Sigurisë së Kosovës, Qendra Operative Rajonale, Ujësjellësi, Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Kryqi i Kuq, Ekipi i Kërkim Shpëtimit si dhe Klubi i Zhytësve. Anëtarët e qendrës operative kanë bërë edhe një apel ndaj qytetarëve për kujdes të shtuar në qarkullim, deri në tejkalimin e kësaj gjendje.
Gjendje Emergjente ka shpallur edhe Skënderaj.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shiut, që janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qëndrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.
Sipas IHMK-së, zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq etj./21Media 

Back to top button