IHMK: Zonat e perëndimit më të prekurat nga përmbytjet, situatë e vështirësuar edhe ditëve në vijim

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të shiut, që janë duke vazhduar me intensitet të lartë sidomos në disa pjesë të vendit, (pjesa perëndimore, veriperëndimore, veriore dhe qëndrore e Kosovës), disa lumenj kanë dalur prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje.
Sipas IHMK-së, zonat më të prekura janë ato në perëndim të vendit, sidomos disa vendbanime në komunat si: Pejë, Junik, Deçani, Klinë, Skenderaj, Mitrovicë, Zubin Potok, Leposaviq etj.
“Situata e tillë e krijuar ka shkaktuar vështirësi dhe probleme, si në rrëshqitje të dheut, mbyllje të kanalizimeve dhe vështirësi të qarkullimit, por edhe përmbytje të tokave bujqësore”, ka informuar IHMK.
Situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë orëve dhe ditëve në vijim.
IHMK ka dhënë disa këshilla, të cilat duhen të merren gjatë përmbytjeve.
Ndryshe, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot disa qytete të Kosovës janë përfshirë nga vërshimet. Vërshime janë shkaktuar në komunën e Pejës, atë Gjakovës, Skënderajt, Istogut, Mitrovicës, Podujevës.

Back to top button