Edhe një ftesë nga Thaçi për Kurtin

Thaçi fton Kurtin për takim për sot në orën 20:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka bërë ftesë përsëri kreut të VV-së, Albin Kurti. Siç mëson RTV21, takimi i tyre është thirrur për në orën 20:00.

Kjo është ftesa e dytë që pranoi Kurti nga i pari i shtetit. Thaçi sot e kishte ftuar Kurtin për takim që ishte paraparë të mbahej në orën 13:30, në lidhje me mandatarin për formimin e qeverisë së re. Por, takimi i tyre nuk u zhvillua për shkak se lideri i VV-së nuk ndodhej në Prishtinë.

Pas mostakimit të dy liderëve, ishte deklaruar kreu i shtetit, i cili përmes një postimi në Twitter u shpreh se do ta thërrasë prapë Kurtin në takim, ashtu edhe ndodhi. Më tej u kërkoi që të mos ta vonojnë formimin e qeverisë.

“Ai nuk është paraqitur në zyrën time siç pritej. Sidoqoftë, një ftesë e re do t’i dërgohet sërish. Unë përsëri u bëj thirrje të gjithëve të tregojnë lidership dhe të mos vonojnë formimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Populli dhe aleatët tanë presin më shumë”, shkroi ai në Twitter.

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës me zgjedhjen e Glauk Konjufcës kryetar dhe nënkryetarëve Arbërie Nagavci, Kujtim Shala dhe Memli Krasniqi, i ka hapur rrugë formimit të Qeverisë. Pas caktimit, mandatari ka në dispozicion 15 ditë që t’ia ofrojë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeverisës. Në rast se herën e parë dështon, Presidenti bazuar në Kushtetutë ka të drejtë që të mandatojë një kandidat tjetër për mandatar. Nëse edhe i dyti dështon që të marrë votat e nevojshme në Kuvend vendi shkon në zgjedhje të parakohshme./21Media

Back to top button