Edhe një person u arrestua në Podujevë për falsifikim të testeve të Covid-19
Policia ka informuar se dje në Podujevë është arrestuar një person, mbi dyshimin e bazuar për falsifikim të testeve të Covid-it.
I dyshuari është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit me aktvendim të prokurorit të shtetit, siç ka informuar policia, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Falsifikim i dokumenteve”.
“Më 06.09.2021, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion konkretisht Sektori për Hetime Financiare, përmes rrugëve operative ka pranuar një informacion se në qytetin e Podujevës në një lokal i cili shërben për tregti me pakicë dhe si fotokopje, dyshohej se janë duke lëshuar teste për Covid-19 të falsifikuara. Policia përmes zyrtarëve relevant ka filluar verifikimet e nevojshme dhe me aprovim të organeve të drejtësisë ka realizuar bastisje në lokacionin ku dyshohej për falsifikim të testeve, ku ka hasur dhe sekuestruar disa fletë të formatit A4 me teste për Covid-19, me llogo të disa laboratorëve në Kosovë.”, ka informuar policia.
Gjithashtu, si dëshmi janë sekuestruar edhe një shtëpizë kompjuteri dhe një telefon celular, të cilët do të dërgohen në ekzaminim me qëllim të gjetjes së dëshmive shtesë lidhur me ketë rast.
“Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar për grumbullimin e provave dhe dëshmive tjera shtesë, mbi dyshimet e përfshirjes së mundshme në këto aktivitete të kundërligjshme edhe të personave të tjerë.”, ka bërë të ditur policia.
Vetëm në katër ditët e fundit, pesë persona janë arrestuar nga Policia në Podujevë pasi janë kapur në flagrancë duke lëshuar teste të falsifikuara për COVID-19./21Media
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?