Edhe veteranët kundër votimit të Buxhetit: Nuk parasheh rritje të të hyrave për kategoritë e luftës

Derisa Kuvendi i Kosovës, po diskuton për Projektligjin për Buxhetin e vitit 2023, Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku shprehet kundër miratimit të tij.
Ai thotë se në Buxhetin për vitin 2023 nuk parashihet rritje e të hyrave të kategorive të luftës së UÇK-së.
“Qeveria e Kosovës lavdërohet për rritje të të hyrave buxhetore, sidomos për kategoritë e pensionistëve dhe rasteve sociale, e pensionet nuk i ka rritur por vetëm ju ka dhënë lëmoshë prej 100€ njëherë apo dy herë në vit, dhe nuk e thotë se ka mijëra raste sociale më shumë. Nuk duhet të miratohet Buxheti të cilin kjo qeveri po e mbanë për vete e për ta drejtuar vetëm kur i duhet që të jap lëmoshë, si dhe nuk duhet të miratohet buxheti i cili nuk parasheh rritje të të hyrave të kategorive në nevojë dhe kategorive të luftës së UÇK-së.”, shkruan Klinaku në Facebook.
Në anën tjetër kritika për Projektbuxhetin e vitit 2023 hodhën edhe nga opozita, e madje edhe nga vet pozita
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi ka kritikuar Qeverinë edhe në Kuvend se po miratojnë buxhet pa strategji për energji. Ndërsa edhe deputeti tjetër i Vetëvendosjes, Fatmir Humolli tha se nuk do ta votojë buxhetin për vitin 2023, pasi sipas tij ky buxhet nuk mbështetë pjesëtarët e FSK-së, dhe injoron veteranët dhe familjet e kategorive të dala nga lufta.
Se nuk do ta votojë projektbuxhetin tha edhe deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu , madje u bëri thirrje edhe deputetëve të tjerë që mos ta votojnë. Sipas tij ky buxhet nuk premton zhvillim ekonomik./21Media

Back to top button