Edona Llalloshi në nderim të ish-presidentit Ibrahim Rugova

 
Këngëtarja Edona Llalloshi e ka kujtuar ish presidentin historik, Ibrahim Rugova në 16 vjetorin e vdekjes.
Ajo ka publikuar në Instagram një fotografi të shkrepur vite më parë, ku shihet ulur në një kolltuk bashkë me ish-presidentin.
“Në nderim të Presidentit”, ka shkruar këngëtarja krahas fotografisë.

Sot janë bërë 16 vjet nga vdekja e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Ai vdiq më 21 janar të vitit 2006, u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake.
Dr. Ibrahim Rugova ishte lindur më 2 dhjetor të vitit 1944 në fshatin Cerrcë, komuna e Istogut. Më 10 janar 1945 komunistët jugosllavë ia pushkatuan të atin, Ukën dhe gjyshin Rrustë Rugovën, që kishte qenë luftëtar i njohur kundër çetave çetnike që po depërtonin në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Rugova ishte Presidenti i parë i Kosovës, duke shërbyer në vitet 1992–2000 dhe përsëri në vitet 2002–2006. Ishte intelektual, akademik dhe kritik letrar i njohur shqiptar. U njoh si lider i lëvizjes më të madhe paqësore në Evropë, i lëvizjes së gjerë për emancipim, çlirim kombëtar e pavarësi të Kosovës./21Media

Back to top button