Efekti i lojërave elektronike në shëndetin mendor!

Lojërat elektronike janë bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë së shumë njerëzve pa dallim moshe apo gjinie. Ato mund të jenë argëtuese, por e dini efektin e ekspozimit të tepërt ndaj lojërave elektronike? Apo ndikimin e tyre në shëndetin mendor?
Psikologu klinik, Ilir Havolli në një përgjigje për portalin rtv21.tv tha se te fëmijët mund të ndikojnë në agresivitetin e tyre, sidomos në rastet kur lojërat të cilat ata i luajnë, kanë përmbajtje të dhunshme.
“Lojërat kompjuterike kanë ndikim të dëmshëm në shëndetin mendor, sidomos te fëmijët, veçanërisht kur lojërat janë të dhunshme, atëherë fëmijët priren që të kenë sjellje më agresive. Pra, ndikimi negativ është shumë më i madh se sa ai pozitiv”, tha Havolli për portalin rtv21.tv.
Shumë shpesh ndodhë që prindërit i caktojnë fëmijës një orar – kohë të cilën ata mund ta shfrytëzojnë për të luajtur lojëra elektronike.
A ka orar të caktuar brenda ditës, të cilin moshat e ndryshme mund ta shfrytëzojnë për të luajtuar këto lloj lojërash?
Sipas psikologut Havolli, duhet të parandalohet ekspozimi ndaj lojërave elektronike sidomos në orët e mbrëmjes.
“Studimet nuk kanë treguar një orë efikase për përdorimin e lojërave kompjuterike, por ajo që tashmë dihet mirëfilli është se nuk është aspak e shëndetshme që këto lojëra apo edhe ekspozimi përballë tyre të bëhet në orët e mbrëmjes”, shtoi Havolli.
Sipas psikologut, ekspozimi ndaj lojërave elektronike ka edhe të mirat e veta.
“Përpos shumë efekteve negative që këto lojëra kanë, ato mund të kenë edhe disa efekte pozitive – duke filluar nga përceptimi vizual dhe kujtesa”, shtoi tutje Havolli.
Lojërat të cilat luhen në masë të madhe në Kosovë janë: Counter Strike, Dota, FIFA, PES, GTA San Andreas e shumë të tjera.
Sipas një studimi, gjatë një loje elektronike e cila ka në bazë shpejtësinë, fëmija gjersa luan, trupi i tij është krejt pasiv. Ndërveprimi i vetëm i fëmijës me lojën është me trurin e tij.
Në valët Beta të trurit, kemi 14 – 28 lëvizje për sekondë të trurit. Nga 14 deri 20 konsiderohet si normale lëvizja e trurit, por kur kjo arrin në 28 lëvizje për sekondë truri po funksionon me të gjithë kapacitetin e tij.
Nëse kjo gjendje vazhdon për 20-30 minuta, truri fillon të lodhet dhe dobësohet.
“Kur filloj të luaj, nuk mund të ndalem. Pa kuptuar i them vetes: Edhe një nivel.. kështu kalojë kohë më shumë seç duhet i ekspozuar para ekranit”, tha një përdorues që rregullisht është i ekspozuar ndaj lojërave elektronike./21Media

Back to top button