Mbi 102 mijë persona të varfër në Kosovë

Varfëria është një ndër problemet me të cilën po përballet Kosova. Hiç më pak se 25 mijë e 933 familje në Kosovë sytë i kanë kah shteti. Këtë shifër e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv Deparatamenti i Politikave Sociale dhe Familjes në kuadër të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.
“Aktualisht familje që janë duke përfituar ndihmë sociale janë 25933 me 102,845 anëtarë të familjes”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
E kjo përkthyer në para për një muaj buxhetit të Kosovës i kushton mbi 3 milionë euro.
“Duke u bazuar në numrin aktual të familjeve që janë përfitues të ndihmës sociale, shuma e paguar për një muaj është 3,272,980.00 euro. Numri i familjeve që përfitojnë ndihmë sociale ndryshon nga muaji në muaj, por ndryshimet janë relativisht të vogla, varësisht sa familje të reja hyn dhe sa familje mund të largohet për shkak të ndryshimit të rrethanave në familje”, ka thënë Deparatamenti i Politikave Sociale dhe Familjes në një përgjigje për rtv21.tv.
Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për rtv21.tv ka sqaruar si ndahen ndihmat në bazë të anëtarëve dhe sa është shuma që përfitojnë.
“Sipas vendimit të fundit të nënshkruar nga Ministri i MFPT-së përllogaritja e shumës për familjen në asistencë sociale është bërë si në vijim;
-Për anëtarin e parë të familjes shuma do jetë në vlerën prej shtatëdhjetë (70 E) euro;
-Për anëtarin e dytë të familjes shuma do jetë në vlerën prej njëzetë (20 E) euro;
-Për çdo anëtar tjetër të familjes shuma do jetë në vlerën prej dhjetë (10 E) euro;
-Përveç shumës për anëtarë, familja do të përfitojë një shtesë prej dhjetë (10 E) euro në muaj për fëmijët (0-18 vjeç) që janë pjesë e ekonomisë familjare”, ka sqaruar Ministria.
Të pyetur nga portali rtv21.tv nëse ndihma sociale është e mjaftueshme për një familje në Kosovë që të mbijetojë kur nuk ka asnjë të ardhur tjetër, nga Depertamenti i Politikave Sociale dhe Familjes janë shprehur se kjo ndihmë synon zbutjen e varfërisë në vend.
“Përmes ofrimit të ndihmës sociale, synohet që të zbutet varfëria në Kosovë, përkatësisht familjet me kushte të rënda të ndihmohen të ju lehtësohet gjendja e rënduar ekonomike”, ka thënë Ministria.
Përveç ndihmave sociale familjet e varfëra sipas ministrisë kanë edhe disa subvencione.
“Familjet që përfitojnë ndihmë sociale përveç ndihmës në të holla që marrin për çdo muaj, Qeveria e Republikës së Kosovës subvencionon edhe një shumë të caktuar të energjisë elektrike për këto familje, gjithashtu këto familje përfitojnë edhe nga lirimi i pagesave për shërbimet shëndetësore në institucionet publike”, ka treguar Ministria e Financave.
Kosova tash e dy vjet është duke u përballur me pandeminë Covd-19, e cila ka ndikuar që të ketë një rritje të familjeve që kanë kërkuar ndihmë sociale.
“Bazuar në të dhënat e familjeve përfituese të ndihmës sociale, mund të themi se është një rritje relativisht e vogël e familjeve që kanë kërkuar ndihmë sociale gjatë këtyre dy viteve që kur ka filluar pandemia”, thuet tutje në prgjigjet e Ministrisë.
Portali rtv21.tv ka siguruar të dhënat e numrit të familjeve që kanë kërkuar ndihmë sociale nga shteti përgjatë 4 vjetëve të fundit.
-Dhjetor 2018 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 25,345 me numër të anëtareve 103,399;
-Dhjetor 2019 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 24,679 me numër të anëtareve 98,756;
-Dhjetor 2020 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 25,679 me numër të anëtareve 103,189;
-Dhjetor 2021 familje që kanë përfituar ndihmë sociale janë 25,895 me numër të anëtareve 102,904.
Mirëpo, se a do të ketë rritje të të ardhurave për familjet në nevojë, Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes tani pjese e Ministrisë se Financave Punës dhe Transfereve, ka deklaruar se me qëllim të reformimit të Skemës së Ndihmës Sociale ka hartuar Koncept Dokument (KD) për Skemën e Ndihmës Sociale i cili është aprovuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës në Shtator/2020.
“Me aprovimin e këtij Koncept Dokumentit janë krijuar kushtet për hartimin e Projekt Ligjit për Skemën e Ndihmës Sociale që synon të reformojë Skemën e Ndihmës Sociale (SNS) për të përmirësuar ndikimin e skemës në zbutjen e varfërisë dhe zgjeruar mbulueshmërinë e familjeve të varfëra në skemë. Ligji i ri për Skemën e Ndihmës Sociale ka filluar të paraditet dhe pritet që aprovimi i tij të bëhet gjate vitit 2022”, ka thënë pwr portalin rtv21.tv, Deparatamenti i Politikave Sociale dhe Familjes.
Të dhënat e fundit të Bankës Botërore për varfërinë në Kosovë janë të vitit 2017 dhe, sipas tyre, mbi 23% e qytetarëve të Kosovës jetojnë në varfëri./21Media

Back to top button