Ekipi Negociator dhe Mogherini takohen të martën

Këtë e ka bërë të ditur Enver Hoxhaj

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur sot në takim zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Bujar Osmanin. Pas këtij takimi, Hoxhaj në prononcim për media, ka thënë se të martën mund të takohen në Bruksel me ekipin e shefes për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherinit.

Hoxhaj ka folur edhe për taksën, ku ka thënë se ndërlidhja e taksës me dialogun janë dy gjëra të ndryshme.

“Ka qenë kërkesë e Serbisë të ndërlidhet vendosja e taksës me vazhdimin e dialogut, ne i shohim si dy gjëra të ndryshme, por pala serbe nuk paraqitet në Bruksel.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj po ashtu ka shtuar se do të vazhdojnë me ide tjera kreative, pa konkretizuar cilat mund të jenë ato.

“Taksën nuk e heqim por do të vazhdojmë me ide tjera kreative që i kemi e me to edhe mund të habiteni se cilat janë”, ka thënë Hoxhaj.

Megjithatë, ai ka thënë se do të shohin se si do të rrjedh situata.

“Për punë të taksës, do ta shohim si rrjedh situata, nëse shohim prej Beogradit se ka presion për tërheqje të njohjeve, kjo përbën një shqetësim për ne, partnerët duhet ta marrin me seriozitet këtë.”, ka thënë Hoxhaj.

Më 8 janar, në Bruksel është takuar ekipi negociator me shefen e Politikës së Jashtme, Frederica Mogherinin. Ekipi negociator i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, pas takimit me shefen për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini kishin deklaruar se është prezantuar delegacioni dhe janë paraqitur kërkesat e Kosovës. Në një prononcim për media, bashkë-kryesuesi i delegacionit, Shpend Ahmeti, kishte thënë se ata i bënë të qartë Mogherinit se cili është roli i këtij delegacioni dhe siç kishte thënë ai, i ka shprehur gatishmërinë të diskutojmë temat e hapura me Serbinë./21Media

Back to top button