Limaj: Bisedimet të përfundojnë me njohje reciproke

Limaj ka pritur në takim Bilall Kasamin, kryetarin e Lëvizjes Besa në Maqedoninë Veriore

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, ka pritur në një takim kryetarin e Lëvizjes Besa në Maqedoninë Veriore, Bilall Kasami, i shoqëruar me bashkëpunëtorë. Limaj e ka uruar Kasamin për miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të cilat mundësuan ndryshimin e emrit të shtetit. Ai ka vlerësuar lart kontributin e Lëvizjes Besa dhe të partive shqiptare në miratimin e ndryshimeve kushtetuese.

Limaj ka thëne se deputetët e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, me votën e tyre pro marrëveshjes se Prespës për ndryshimin e emrit, kanë zgjedhur rrugën e integrimeve evropiane.

“Është bërë një hap i madh me miratimin e këtyre ndryshimeve. Vlerësoj se kjo i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon”, ka thënë ndër tjerash Limaj.

Limaj ka porositur Kasamin që të bashkëpunojnë me partitë shqiptare, në mënyrë që të jenë faktor i rëndësishëm në Maqedoninë Veriore. Nga ana tjetër, kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami, ka thënë se Maqedonia Veriore e ka mbyllur një çështje shumë të rëndësishme.

Ai ka thënë se Lëvizja Besa do të vazhdojë të angazhohet në funksion të përmirësimit të pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.

Duke folur për zhvillimet në Kosovë dhe dialogun me Serbinë, Limaj ka thënë se dalëngadalë situata po kthehet në normalitet.

Limaj ka thënë se Kosova po demonstron së është e gatshme për bisedime të cilat duhet të përfundojnë me njohje reciproke.

Më 8 janar, në Bruksel ekipi negociator është takuar me shefen e Politikës së Jashtme, Frederica Mogherinin. Ekipi negociator i kryesuar nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, pas takimit me shefen për Politikë të Jashtme, Frederica Mogherini ka deklaruar se është prezantuar delegacioni dhe janë paraqitur kërkesat e Kosovës.

Back to top button