Eksporti në Kosovë, ndërmarrësit të shqetësuar

Gashi: Për ta nxitur eksporti shoqëri duhet forcuar prodhimi i brendshëm

Bota sot karakterizohet me trende interesante dhe të shpejta. Në botën në të cilën jetojmë, sot mund të konsumojmë çdo produkt ngado që është prodhuar.

Eksporti i mallrave dhe i shërbimeve përfaqëson një burim shumë të rëndësishëm të ardhurave nga shkëmbimi me shtetet e jashtme, dhe si pasojë bënë uljen e presionit në bilancin e pagesave (për shkak të uljes së deficitit tregtar).

Një strategji për rritjen e eksportit ka për qëllim të stimulojë prodhuesit që të eksportojnë mallrat e tyre jashtë, përmes politikave të ndryshme ekonomike. Po ashtu, kjo strategji synon për të rritur aftësinë dhe kapacitetet për ato firma të cilat janë në gjendje për të konkurruar në tregun botëror, duke ju siguruar kështu teknologji të përparuara , dhe po ashtu për të siguruar shkëmbime të huaja të nevojshme për të importuar mallra kapitale (d.m.th eksportet bëhen për të paguar mallrat e importit).

Eksportet mund të rrisin tregtinë brenda industrisë, të ndihmojnë vendin që të integrohet në tregjet ndërkombëtare, dhe kështu ato bëjnë që të zvogëlohet ndikimin i goditjeve(recesioneve) të jashtme në ekonominë e vendit.

Në emisionin “Start Up” të RTV21, këtë javë u diskutua për eksportin e prodhimeve të Kosovës, në cilat vende po arrin të eksportojë dhe se çfarë flasin shifrat konkrete lidhur me eksportin e produkteve.

Për të folur për këtë çështje të ftuar ishin drejtoresha e shoqatës Gratë për Gratë (W4W), Ilirjana Jaka-Gashi, kryetari i bordit të Shoqatës së Zejtarëve dhe Afaristëve të Prizrenit (SHZAP), Sami Dida, kryetari i Shoqatës së eksportuesve, Nexhat Hasani, drejtori për statistika ekonomike në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha dhe Naim Gashi, profesor i ekonomisë.

Jaka-Gashi foli për projektin e fundit të organizatës që ajo drejton, ku web-faqja e njohur botërore L.K Benett nxjerri në shitje këpucët “Zoja balerina flats”, të punuara nga gratë e organizatës Gratë për Gratë.

“ Ky ka qenë një projekt i cili ka shkuar përmes zyrës tonë që ekziston në Londër. Ka qenë ideja që këtë herë L.K Benett ka pasur dëshirë që motivet tradicionale shqiptare, të jenë motivi i tyre për diçka që më pas do të shkojë për bamirësi”, ka thënë Jaka-Gashi, duke shtuar se të gjitha të ardhurat nga shitja e këpucëve do të shkojnë për organizatën.

Ajo tha se ndjehet shumë e lumtur që puna kualitative e grave ka arritur të jenë në faqe të gazetave ndërkombëtare, shkruan rtv21.tv

“ L.K Benett na ka vizituar, ne po shpresojmë që kjo do të jetë një derë që do të hapet edhe më tutje për gratë tona të cilat deri më tani nuk kanë pasur mundësi të eksportojnë”, shtoi Jaka-Gashi.

Përveç disa sukseseve që janë arritur në eksportin e prodhimeve të vendit, disa ndërmarrës ballafaqohen me vështirësi të mëdha në këtë fushë. Kryetari Dida tregoi disa shqetësime të ndërmarrëve nga Komuna e Prizrenit.

Dida tha se njëra nga çështjet më kryesore që duhet shtjelluar është pengesa e brenditë ‘Made in Kosovo’, që ka pengesa të ndryshme.

SHZAP këtë vit feston 71 vjetorin e themelimit të saj, në këtë mënyrë renditet si shoqata më e vjetër në regjion.

Nga ana e tij, Hasani vlerësoi se gjendja e eksportit të prodhimeve kosovare nuk është e kënaqshme. Sipas tij, vendi ende nuk ka një strategji të mirëfilltë të zhvillimi të eksporteve dhe në përgjithësi një strategji të zhvillimit ekonomik.

“ Ne menjëherë pas lufte kemi pasur diku 5 për qind eksporte. Tash gjendja këto vitet e fundit është paksa më e mirë, diku arrin rreth 15 për qind apo më saktësisht vitin e kaluar kemi pasur diku rreth 2 miliardë e 300 milionë importe, ndërkaq kemi 310 deri 320 milionë eksporte”, tha Hasani, duke iu referuar të dhënave që i ka nxjerrë nga Doganat e Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovë, shkruan rtv21.tv

Sipas Hasanit, qeveria në ardhje duhet ta ndryshojë këtë gjendje, pasi siç thotë ai politikat që përdoren në këtë fushë, janë politika të vendeve jo të zhvilluara.

Berisha nga ASK, bëri një krahasim të shkurtër të statistikave të eksportit të mallrave ndër vite.

“Në vitin 2014 ishte 324 milionë e 543 mijë, në vitin 2015 pati një ngritje të lehtë, në 325 milionë e 294 mijë. Ndërsa në vitin 2016 kishte një rrënje në 309 milionë e 688 mijë. Mbulueshmëri vitet e fundit ka pasur një rritje, megjithatë kjo është e vogël. Në vitin 2014 ishte 12.8 për qind, mbulueshmëri konsiderohet sa sa mbulohet importi me eksport. Në vitin 2015 ishte 12.3 për qind, në vitin 2016 me 11.1 për qind”, tha Berisha.

Sipas tij, sa i përket e eksportit dhe importit të shërbimeve është një gjendje më e balancuar.

Ndërkaq, Gashi theksoi se eksporti i prodhimeve apo neto eksporti, është njëra ndër katër komponentët themelore nga katër shtyllat e ekonomisë nacionale të një vendi krahas konsumit të investimeve të buxhetit të shtetit.

“Vëllimi i madh i importit e ka ngulfate ekonominë e Kosovës dhe rritjen permanente të GDP-së.  Nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit më 1 prill të vitit 2016, i ka hapur mundësi të mëdha për eksportuesit kosovar, për arsye se deri atëherë ne kishim kuota, megjithatë tani ato ose janë rritur ose eliminuar dhe mundësitë janë shumë të mëdha”, tha Gashi.

Sipas tij, për t’u nxitur eksporti shoqëri duhet ta forcojë prodhimin e brendshëm.

“Pika e parë për ta nxitur eksportin është ulja e importit. Nëse ne e kemi 2.7 miliardë vitin e kaluar import ne të shikojmë çfarë po importojmë. Unë i kam nxjerrë statistikat ku shihet se ne importojmë produkte të cilat mund të zëvendësohen”, përfundoi Gashi./21Media

Back to top button