Ekzekutimi i pagesave nga pakoja emergjente, pas miratimit të buxhetit të rishikuar

 

Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se është duke punuar me një intensitet të lartë në verifikimin e kërkesave të tatimpaguesve, të cilët kanë aplikuar për të përfituar nga pakoja e kaluar emergjente. Në një postim në Facebook, ministrja Bajrami shkruan se nesër do të përfundojë verifikimi i të gjitha kërkesave për kompensim të qirasë.

“Deri në fund të kësaj jave do të përfundojë edhe me verifikimet, gjegjësisht validimet finale në të gjitha masat si: Masa 3a, kompensimi në pagë prej 170 euro, 3b qiraja 50%, pagesa shtesë në vlerë prej 100 euro për punëtorët e dyqaneve ushqimore, furrave dhe barnatoreve, pagesat e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro dhe mbështetja financiare për shoqëritë tregtare që regjistrojnë punëtorët me kontratë pune së paku 1-vjeçare gjatë periudhës së emergjencës së shëndetit publik nga 130 euro”, ka shkruar Bajrami.

Ajo gjithashtu ka theksuar se edhe listat e përfituesve për masën 15, pagesa e asistencës mujore në vlerë prej 130 euro për qytetarët me kushte të rënda sociale të lajmëruar si të pa punë, janë në finalizim dhe shumë shpejtë do të bëhet ekzekutimi nga Thesari.

Bajrami ka thënë se gjatë verifikimeve nga Komisioni përkatës po konstatohen parregullsi gjatë aplikimit, gjë që po vështirësojnë punën e tij, por se lajm i mirë është se tanimë janë në finalizim të verifikimit të të gjitha aplikimeve.

Ministria e Financave siguron qytetarët e Kosovës që do të vazhdojë me implementimin e masave të pakos dhe se ekzekutimi i pagesave do të intensifikohet pas miratimit në Kuvend të buxhetit të rishikuar për vitin 2020.

Back to top button