Elshani për zgjedhjet në veri: KQZ s’ka mandat për shtyrjen e tyre

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga radhët e PDK-së Ariant Elshani tha se në mbledhjen e sotme të këtij komisioni shprehu qëndrimin e PDK-së se KQZ ka mandat për përgatitjen dhe administrimin e procesit zgjedhor, por jo edhe për shtyrjen e zgjedhjeve.
Kurse sa iu përket çështjeve të sigurisë, Elshani tha se në mandatin e institucioneve të sigurisë.
“pikësëpari të Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe ato duhet të vlerësojnë dhe të japin garancën për lëvizjen e lirë të qytetarëve në këto komuna, në mënyrë që vullneti i qytetarëve të shprehet lirshëm, pa presione dhe intimidim.”, shkroi Elshani në Facebook.
Ndërkohë ai tha që institucionet të mos dorëzohen dhe zgjedhjet të mbahen më 18 dhe 25 dhjetor ashtu siç është vendosur.
“Bashkë rikonfirmuam se KQZ nuk rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve, sepse as nuk është në mandatin tonë e as nuk kemi një rekomandim të tillë. Inkurajojmë institucionet tona që mos të dorëzohen para bandave kriminale në veri, ashtu që zgjedhjet të mbahen më 18 dhe 25 Dhjetor, siç është vendosur.”, shkroi Elshani./21Media