Emërimet e zëvendësministrave, Çitaku: Në universin e Kurtit Kuvendi s’është shpërndarë, mentalitet abuzues

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar rreth emërimeve të fundit që i ka bërë kryeministri në detyrë Albin Kurti, në pozitat e zëvendësministrave.
Çitaku, ka thënë se kjo “nuk është funksionim institucional” dhe se, “është mentalitet abuzues ndaj shtetit”.
“Në universin e Albin Kurtit, Kuvendi nuk është shpërndarë dhe Qeveria nuk është në detyrë. Njeriu vazhdon të emërojë zëvendësministra, të hapë konkurse për pozita të larta në shërbimin civil, të bëjë emërime e shkarkime gjithandej, sikur asgjë nuk ka ndodhur. Ky nuk është funksionim institucional. Është mentalitet abuzues ndaj shtetit. Kur pushteti sillet sikur institucionet janë pronë private, demokracia dëmtohet dhe qytetarët nënçmohen. #KrejtDheDrejt”, ka shkruar Çitaku përmes një postimi në Facebook.