Endrit Krasniqi “Ylli i Javës”

Federata e Futbollit e Kosovës bëri të ditur se çmimi i më të mirit në javën e katërt të Superligës, i takoi futbollistit të FC Prishtina, Endrit Krasniqi.
Vlerësimi i më të mirit të javës u bë nga komisioni i veteranëve të futbollit në përbërje: Arben Zeqiri nga KFV Gjilani, Fatmir Mehmeti nga KFV Drita dhe Rifat Nasufi nga KFV KEK-u. Komisioni vlerësoi se Krasniqi me lojën e shfaqur kundër Llapit ishte më i merituar për fitoren e Prishtinës, me rezultat 2:1 në “Zahir Pajaziti”. Ai fillimisht nxori penallti në minutën e 13-të, të cilën në gol e shndërroi Kreshnik Uka, derisa më pas në minutën e 58-të shënoi golin që e vulosi fitoren e bardhekaltërve.
Krasniqi çmimin ia dedikoi ekipit.
“Besoj që ky çmim është meritë e gjithë skuadrës, por natyrisht edhe e imja. Si unë personalisht, ashtu edhe i gjithë ekipi patëm paraqitje shumë të mirë në ndeshjen me Llapin, por në të njëjtin nivel kemi luajtur edhe në të ndeshjet e deritanishme. Mendoj që në Prishtinë është duke u bërë një organizim shumë i mirë dhe kjo na jep shpresë që të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe t’i marrim ndeshjet një nga një”, tha Krasniqi./21Media

Back to top button