Eprorët e Policisë së Kosovës i ndanin faturat që të mos kalonin shumën e paraparë

Nga kontrolli i të gjitha dosjeve të avancave për para të gatshme për vitin 2021, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) njoftoi se Policia e Kosovës ka shpenzuar gjithsej 39 mijë e 311 euro. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë (DPP) së bashku me departamentet përkatëse kanë shpenzuar 23 mijë e 161 euro ndërsa drejtoritë rajonale 16 mijë e 150 euro.
Nga analiza e shpenzimeve të përgjithshme, IPK-ja vërejti se rreth 59% e parave të imëta është shpenzuar për furnizim me ushqim dhe pije. Kjo kategori të drejtoritë rajonale përfaqësohet me 87% (në kuadër të shpenzimeve të DPP-së kjo kategori përfaqësohet me 39%). Sipas zyrtarëve përgjegjës të Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, drejtoritë rajonale nuk kanë shërbime të bufesë dhe detyrohen që reprezentacionin e lejuar ta shpenzojnë nga paratë e imëta. Në nivel të DPP-se, këto shpenzime janë me të ulëta në përqindje sepse disa struktura policore të vendosura në objekte qendrore shfrytëzojnë reprezentacionin duke shfrytëzuar shërbimet e kontraktuara. Pagesa nga fondi i parave të imëta të DPP-së janë kryer për mbulimin e reprezentacionit dhe të drejtorive rajonale të policisë kufitare, që operojnë në objekte jashtë qytetit të Prishtinës. IPK-ja ka hasur se Policia ka nxjerrë një Procedurë Standarde të Operimit (11.02.2015), me të cilën i ka hapur rrugë shpenzimit të parave të imëta edhe për reprezentacionin. Lidhur me këtë, IPK-ja vlerëson se PSO ka nxjerrë rregull, të cilën nuk e ka hasur në legjislacionin në fuqi mbi financat publike.
inspektimin që kishte për objektiv kishte respektimin e procedurave dhe rregullave të shpenzimit të parave të imëta, u vu re se Policia gjatë vitit të kaluar ka pranuar disa fatura të shumëfishta nga një operator i vetëm me qëllim që të mos kalohej një limit i përcaktuar në shumë prej 100 eurove, shkruan rtv21.tv
Rregulli financiar në nenin 29, paragrafi 7, përcakton se organizata nuk mund të pranojë fatura të shumëfishta nga një furnitor, për të zvogëluar shumën e faturave individuale në më pak se 100 euro, me qellim të realizimit të një pagese. Nga kontrolli i transaksioneve është hasur në disa raste kur është lëshuar më tepër se një faturë brenda ditës nga operatori i njëjtë, që kalojnë vlerën totale prej 100 euro, por të faturuara në vlera më të ulëta. Tek avancat që lidhen me pesë Urdhër Obligim Pagesa (30510960, 30512932, 3051 2277, 305 I 0079 dhe 30511627) janë hasur gjithsej 120 transaksione ku operatorët ekonomik kanë lëshuar nga një deri në pesë fatura brenda një dite, fatura këto me vlera të vogla, që në mënyrë kumulative tejkalojnë vlerën mbi 100 euro. Shumica e këtyre transaksioneve lidhen me operatorët ekonomik që kanë ofruar furnizime për reprezentacion.
Lidhur me këtë parregullsi, IPK-ja ka rekomanduar për Drejtorinë e Buxhetit dhe Financave, e gjithashtu edhe Zyrtarit të parave të imëta është që të punojnë në eliminimin e faturave të shumëfishta nga operatorë ekonomik të njëjtë.
IPK-ja ka pasur edhe rekomandime të tjera për Policinë e Kosovës lidhur me administrimin e parave të imëta.
Njëra nga këto rekomandime është që Drejtoria për Buxhet dhe Financa e Policisë të sigurohet që parat e imëta, të cilat janë vetëm për shfrytëzim në raste të paparashikueshme dhe në vlerë të vogël, të mos përdorën në raste që mund të siguroheshin mjete përmes procedurave të prokurimit.
Po ashtu IPK-ja u rekomandoi ngritësve të kërkesave për parave të imëta, zyrtarit të parave të imëta dhe mbajtësve të parave të imëta që të kujdesen që blerjet e artikujve të realizohen vetëm pasi të jenë autorizuar e aprovuar kërkesat e tyre, si dhe të jenë siguruar parat e imëta nga Fondi./21Media

Back to top button