Eriksen nuk i ka frikë sfidat: Po rikthehem më i fortë!

Christian Eriksen thotë se ndihet për mrekulli të jetë në gjendje të rifillojë karrierën e tij me Brentford.
29-vjeçarit i është vendosur një kardioverter-defibrillator (ICD), një lloj stimuluesi kardiak, pasi pësoi arrest kardiak.
Ai i është bashkuar Brentford në një marrëveshje gjashtëmujore pas lirimit nga Interi.
“Gjëja e parë është të tregojmë mirënjohjen. Për njerëzit përreth meje, shokët e skuadrës, mjekët fillimisht në fushë, mjekët e ekipit dhe paramedikët dhe më pas në spital, të bëjnë gjithçka dhe të kontrollojnë gjithçka. Pastaj të gjitha mesazhet nga njerëzit për të treguar mbështetje për mua dhe atë që ka kaluar familja ime. Ka qenë vërtet e mirë të shoh të gjitha mesazhet mirënjohëse”, tha Eriksen.
Eriksen tha se ndihet në gjendje më të mirë tani se përpara incidentit, do të bëjë gjithçka që mundet për të arritur nivelin e tij të mëparshëm të lojës dhe nuk ka frikë nga sfidat përpara.
“Nuk do të ndryshoj stilin tim të lojës. Kam pasur kohë të disiplinohem për gjashtë muajt e fundit për të bërë ekstra, kështu që edhe tani ndoshta jam në një gjendje më të mirë se më parë, vetëm futbolli mungon. Ndihem si unë kështu që nuk shoh një arsye pse nuk mund të kthehem në të njëjtin nivel”, shtoi Eriksen.
Kujtimet e tij para dhe pas incidentit , rikthimi në Londër dhe Premier League! Pse ai nuk ka frikë të luajë përsëri?
“Unë u largova nga kjo botë për pesë minuta”, tha ai.
Dita e 12 qershorit 2021 do të jetë një datë e skalitur në kujtesën e Eriksenit, një datë kur ai kujton të gjitha, përveç pesë minutave në të cilat ai “u largua nga kjo botë derisa iu kthyen rrahjet e zemrës”.
Danimarka po luante me Finlandën në ndeshjen e saj hapëse të Euros, e vonuar me një vit për shkak të Covid-19 kur mesfushori u rrëzua në fushë në minutën e 41-të.
Ai mori CPR dhe pas 15 minutash trajtim u transportua në barelë. Eriksen ishte zgjuar në spital dhe pas një vonese prej rreth tre orësh, ndeshja rifilloi me Finlandën duke fituar 1-0./21Media

Back to top button