Ermal Krasniqi, “Ylli i Javës”  në Superligën e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdon ndarjen e çmimit “Ylli i Javës”.
Çmimi i më të mirit për javën e 12-të i takon futbollistit të FC Ballkani, Ermal Krasniqi.
Kjo është java e dytë rresht që ky çmim shkon te skuadra kampione. Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit, në përbërje: Blerim Haxholli, Naser Jasiqi e Besart Cecelia.
Ermal Krasniqi u vlerësua për lojën e mirë dhe kontributin e tij në fitoren e radhës të Ballkanit në duel me Trepçën’89. Ai përveç golit, i cili e zhbllokoi rezultatin, gjatë tërë ndeshjes u tregua i rrezikshëm para portës së skuadrës mitrovicase.
Çmimin “Ylli i Javës” për Ermal Krasniqin e ndau Halil Humolli, menaxher i Divizionit të Horecas.
Pas marrjes së çmimit, sulmuesi anësor i portokallezinjve është shprehur i lumtur për vlerësimin, teksa meritat i ka ndarë me bashkëlojtarët.
“Çmimi ‘Ylli i javës’ është i pari për mua në këtë edicion të Albi Superligës dhe jam shumë i lumtur. Ky çmim është meritë e tërë bashkëlojtarëve, pasi nuk po kursehemi për të arritur rezultate të mira në Albi Mall Superligë, përkundër angazhimit maksimal në ndeshjet e UEFA Conference Leauge. FC Ballkani është në rrugën e duhur për ta mbojtur titullin kampion dhe pavarësisht që nuk do të jetë edhe e lehtë, besoj që ne do të shpallemi sërish kampion të Kosovës”, ka theksuar Krasniqi për faqen zyrtare të FFK-së./21Media

Back to top button