Escobar dhe Lajçak takohen me zëvendëskryeministrin Bislimi
Zëvendëskryeministri i parë për integrim evropian, zhvillim dhe dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, sonte priti në takim emisarin amerikan Gabriel Escobar si dhe atë të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.
Bislimi i takoi të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, pas takimit që këta dy të fundit patën me kryeministrin Albin Kurti dhe ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Mediat u lejuan vetëm për pamje në fillim të takimit, ndërsa nuk pati deklarata të tjera.
Ndryshe, në adresimin e përbashkët për media me Escobar dhe Lajçak, Kryeministri Kurti tha se mbesin të angazhuar për dialog pa u cenuar integriteti dhe sovraniteti i vendit, ndërsa të dy emisarët deklaruan se bisedimet mbesin rruga e vetme drejt normalizimit të marrëdhënieve të të dyja vendeve.