Escobar: Dorëheqja e serbëve s’është zgjidhje, Asociacioni detyrim për Kosovën

Zëvendës-Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Gabriel Escobar, ka shprehur të premten shpresën se Beogradi dhe Prishtina do të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim, për të ulur tensionet në veri të Kosovës, me mbështetjen e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian, dhe theksoi se SHBA-ja i mbështet aktivisht këto përpjekje.

Në një intervistë për Tanjug, Escobari i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të tregojnë fleksibilitet maksimal dhe të arrijnë një marrëveshje në ditët në vijim dhe përpara afatit të 21 nëntorit, pas së cilës Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se do të gjobitë serbët që nuk konvertojnë targat ilegale në RKS. Bëri thirrje që palët të zbatojnë detyrimet që i kanë arritur në dialog, siç është themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
“Pastaj palët duhet të dyfishojnë obligimet e tyre ndaj dialogut, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve tashmë të nënshkruara, që nënkupton fillimin e negociatave për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe”, ka thënë ai.
Escobari theksoi se pajtohet me BE-në që ngjarjet e fundit janë shqetësuese.
“Tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren. Të gjitha palët duhet të ndërmarrin hapa për të ulur tensionet dhe për të siguruar paqen dhe stabilitetin”, shtoi ai.
Për themelimin e Asociacionit, Escobar u shpreh: “Kuvendi i Kosovës ratifikoi Marrëveshjen e Brukselit dhe Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që është e nevojshme themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe, i cili e bën formimin një obligim ligjor të detyrueshëm për Kosovën”.
I pyetur nëse ka aktivitete diplomatike amerikane për këtë çështje, Escobar thotë se ka “një partneritet të plotë me kolegët nga BE-ja”.
Back to top button