Escobar nesër në darkë pune me kreun e PDK-së

Kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi do të ketë të martën darkë pune me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Lajmin për RTV21 e konfirmoi drejtori i komunikimit në PDK, Valmir Klaiqi.
“Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi do të ketë të martën darkë pune me Emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar”, ka thënë Klaiqi për RTV21.
Portali rtv21.tv ka kontaktuar edhe partitë tjera opozitare, kabinetin qeveritar e Presidencën për të konfirmuar nëse është paraparë ndonjë takim me ta, por ende nuk ka marrë një përgjigje.
Për të konfirmuar nëse është paraparë ndonjë takim i zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, portali rtv21.tv ka kërkuar përgjigje nga zyra e kryeministrit. Megjithatë ata as nuk e pohuan, as nuk e mohuan një gjë të tillë!
“Në lidhje me agjendën e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju lutem kontaktoni zyret e institucioneve përkatëse të BE-së dhe ShBA-së”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit.
Takimi i fundit i Kurti-Vuçiq në Bruksel është mbajtur më 18 gusht, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Megjithatë, është raportuar se palët kanë shprehur gatishmëri që të takohen sërish./21Media
Portali rtv21.tv do ju mbajë të informuar në lidhje me ngjarjet e fundit.

Back to top button