Escobar dhe Lajçak nesër në Kosovë! A do t’i pres Kurti?

I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, pritet të vizitojnë këtë javë Prishtinën dhe Beogradin, kështu ka raportuar Radio Evropa e Lirë duke iu referuar burimeve diplomatike në Bruksel.
“Radio Evropa e Lirë ka marrë vesh nga burimet e saj se Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë të martën në Prishtinë”, thuhet në artikullin e Rel-it.
Për të konfirmuar nëse është paraparë ndonjë takim i zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, portali rtv21.tv ka kërkuar përgjigje nga zyra e kryeministrit. Megjithatë ata as nuk e pohuan, as nuk e mohuan një gjë të tillë!
“Në lidhje me agjendën e zyrtarëve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ju lutem kontaktoni zyret e institucioneve përkatëse të BE-së dhe ShBA-së”, kanë thënë nga zyra e kryeministrit.
Takimi i fundit i Kurti-Vuçiq në Bruksel është mbajtur më 18 gusht, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Megjithatë, është raportuar se palët kanë shprehur gatishmëri që të takohen sërish./21Media

Back to top button