Escobar nesër në Tiranë, takon Begajn, Ramën dhe përfaqësues të opozitës

Gabriel Escobar, zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i shtetit do ta vizitojë Tiranën. Në prag të nisjes së fushatës elektorale për garën e majit, diplomati amerikan mbërrin paraditen e së martës në Shqipëri.

Të parin në agjendë për të takuar ka kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Pas bisedës me kreun e qeverisë në kryeministri, Gabriel Escobar do t’i shkojë në zyrë presidentit Bajram Begaj.

Në ditën e dytë të vizitës zyrtare, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor do të takohet me përfaqësues të opozitës.

Nga Partia Demokratike mesazhet e tij do t’ia përcjellë kryetarit të komanduar Enkelejd Alibeaj. Në takim e së mërkurës do të jenë të pranishëm edhe dy deputetët Jorida Tabaku dhe Gazmend Bardhi.

Agjenda e takimeve me përfaqësuesit e partive politike në opozitë do të mbyllet me kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

I përjashtuar është Sali Berisha dhe grupimi mbështetës i tij. Një takim i tillë nuk do të ndodhë për aq kohë sa departamenti amerikan i shtetit e ka bërë të qartë ndërprerjen e marrëdhënieve me personat e shpallur “non grata”.

Zyrtarisht nuk dihet se cili është qëllimi i vizitës dyditore të të dërguarit të posaçëm të amerikës për vendet ballkanike.

Mbetet për tu parë se cili do të jetë mesazhi i Gabriel Escobar për forcat kryesore politike që në 14 prill nisin garën për zgjedhjen e drejtuesve të rinj të pushtetit vendor./vizionplus

Back to top button