Haradinaj pas takimit me Escobar: Angazhimi amerikan do të na kthejë te marrëveshja finale

(Lajm i përditësuar)
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj sot është takuar me të dërguarin e posaçëm të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Ai tha se gjatë takimit Escobar kërkoi të ulën tensionet, të hiqen barrikadat dhe të kthehet normaliteti në veri të Kosovës.
Haradinaj ka theksuar se angazhimi serioz amerikan do ta shpëtojë situatën dhe do të na kthejë te marrëveshja finale për njohje Kosovë- Serbi.
“Sapo përfundova takimin me z. Escobar dhe ambasadorin Hovenier. Mund t’ju them se janë mjaft të fokusuar në zhvillimet në vend, posaçërisht në Veri, me kërkesën eksplicite që të ulen tensionet, të hiqen barrikadat dhe të kthehet normaliteti në atë pjesë të vendit. Besoj se ky angazhim serioz 🇺🇸 do ta shpëtojë situatën dhe do të na kthejë te marrëveshja finale për njohje Kosovë- Serbi”, tha Haradinaj përmes një shkrimi në “Facebook”.
09:45 – Escobar sot pritet të takojë liderët opozitarë 
I dërguari i posaçëm i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, sot do të takojë partitë opozitare në Kosovë.
Escobar, dje u prit në takim nga kryeministri Albin Kurti. Në takim u diskutua për situatën aktuale dhe zhvillimet e fundit, veçanërisht në pjesën veriore të Kosovës.
Escobar dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovneier, dje u takuan me përfaqësues të Listës Serbe. Në takim ishte edhe kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq. Sipas njoftimit të Listës Serbe, ata biseduan për situatën politike dhe të sigurisë.
Ndryshe, takimi i djeshëm ishte në kuadër të vizitës së paralajmëruar të këshilltarit të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili për shkak se rezultoi pozitiv me COVID-19 e pati të pamundur të realizojë vizitën e tij/21Media

Back to top button