“Është zonjë e më vjen keq me përdor ndonjë fjalor”, përplasje mes Haxhiut e Haradinajt në Kuvend

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, është përplasur me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në seancën e sotme të Kuvendit ku po debatohet për zhvillimet e fundit në KEK.

Duke replikuar me Haradinajn për ndërhyrjen në drejtësi, Haxhiu përmendi ish-prokurorin, Elez Blakaj, derisa tha se kur bëhet fjalë për krim dhe korrupsion duhet shikuar pasuria e Haradinajt për të parë se kush është i përfshirë.

“Në Republikën e Kosovës, një prokuror special është detyruar të lëshojë vendin për shkak teje zotëri Haradinaj. Sa ke qenë kryeministër ti i ke kërkuar raport me shkrim që brenda 30 ditëve me të jep informacione për lëndët që i ka pasur në adresim ish prokurori Elez Blakaj. Kjo është ndërhyrja brutale në sektorin e drejtësisë. Kur flasim për krim dhe korrupsion zotëri Haradinaj, Kosova është vend i vogël, mos thuani diçka në foltore të Kuvendit që nuk e besoni edhe vet. Ne e dina shumë mirë se ku keni qenë dhe ku jeni. Sa pasuri keni pasur dhe sa keni. Prandaj kur flasim për krim dhe korrupsion vetëm me ta pa pasurinë tënde që ke kriju prej momentin kur ke fillu me punu në institucioni është mjaftueshëm me kuptu kush është i përfshirë në krim dhe korrupsion”, tha ajo.

Mirëpo, ndryshe reagoi Haradinaj.

“Kur fol pas shpine, të them të drejtën nuk e di a është krejt e ndershme dhe logjikshme, pasi gjatë fjalimit të parë timin isha i penguar prej ministres. Kjo është zonjë, më vjen keq me përdor ndonjë fjalor, por vazhdimisht pengohem prej zonjës ministre pas shpine. Faleminderit për ato që i the”, tha kreu i AAK-së.

Back to top button