Fakte trishtuese për gratë shtatzëna, ajri i ndotur ndikon sa 15 cigare në ditë

Ajri i ndotur mund të ndikojë në formimin e hershëm të placentës tek gratë shtatzëna, tregojnë rezultatet e hulumtimeve të fundit

Tremujori i parë është më i rrezikshëm, periudhë gjatë së cilës formohen organet e foshnjes. Gratë shtatzëna edhe po të mos pinë cigare, megjithatë ndotja e ajrit jep efekt sikur të kenë pirë 10-15 cigare në ditë. Rekomandimet e gjinekologes Adella Stefanija, për gratë shtatzëna janë: të kenë aktivitet fizik, të shkojnë në mal dhe të mos rrinë në hapësira të ndotura.

“Vetë ndikimi i ajrit të ndotur si faktor mund të shkaktojë lindje të parakohshme, abort spontan, ose mund të lidhet me anomali të caktuara të embrionit. Por, megjithatë kjo nuk është dëshmuar. E dimë se të gjithë ne që jemi ekspozuar në ajrin e ndotur, kemi probleme”, tha Dr. Adella Stefanija, Gjinekologe.

Aktualisht në spitalin në “Kozle” janë hospitalizuar 74 pacientë, shkaku i gripit, thotë për TV21 drejtori Andonovski. Nuk ka pacientë të rinj që janë pranuar për shkak të ndotjes, më me gjasa sepse fëmijët janë në pushim shkollor dhe kanë arritur të shkojnë në mal.

“Ky është mikro-veprimi i mushkërive. Krijohet një reagim kimik tek mushkëritë, që është problem për mushkëritë e brishtë të fëmijëve tanë. Zakonisht, ato janë bronkolitet, bronkopneumonia, bronkitet që zgjasin një periudhë të caktuar. Duke u mësuar me këtë stimulim, vjen deri në ulje të simptomave tek këta pacientë”, u shpreh Angellço Andonovski, Drejtor i spitalit të fëmijëve “Kozle”.

Është mbushur kapaciteti i Institutit për sëmundje të mushkërive. Në ambulancë çdo ditë pranohen prej 60 deri në 70 pacientë, janë hospitalizuar 37 persona, ndërsa numri i personave me infeksione respiratore akute është rreth 15 pacientë në ditë, më së shpeshti të moshës prej 50 deri në 70 vjeçare. Ndotja e ajrit shkakton sëmundje jo vetëm të sistemit të frymëmarrjes, por edhe sëmundje kardiovaskulare. Një pjesë e sëmundjeve të shkaktuara nga ndotja e ajrit janë: reagimet alergjike, ndezje, përkeqësim i sëmundjeve obstruktive kronike, shpjegon doktoresha Popovska nga Instituti për sëmundje të mushkërive.

“Duhet të theksojmë se pasojat janë edhe afatgjata, edhe afatshkurta, për arsye se ato sëmundje kronike ose sëmundjet malinje paraqiten në periudhën më pas, kurse ndotja e ajrit është një nga arsyet për krijimin e këtyre proceseve në organizmin e njeriut”, tha Biljana Illievska – Popovska, Specialiste, Pulmoalergologe.

Më shumë se 3.000 persona në vit vdesin si rezultat i ajrit të ndotur në Maqedoni, paralajmëron Agjencia Evropiane për Mjedis Jetësor, në Raportin e fundit për cilësinë e ajrit. Maqedonia është shpallur për vend me ajër më të ndotur dhe është në krye të listës sipas numrit të rasteve të vdekjes për kokë banori, së bashku me Kosovën, Serbinë, Hungarinë dhe Bullgarinë. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vdekshmëria si pasojë e ajrit të ndotur në Maqedoni është mbi 125 persona në 100 mijë banorë, që është dyfish më e lartë se mesatarja në Evropë, që është 60 raste të vdekjes në 100 mijë banorë në nivel vjetor./21Media

Back to top button