“Faleminderit për nëntë vjetët më të mira të jetës sime”

Gjatë një takimi të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të hënën, ambasadori ukrainas Sergiy Kyslytsya, lexoi me zë të lartë një letër nga një fëmijë ukrainas, shkruar nënës së tij të vdekur.
Kyslytsya i tha këshillit se letra u bë publike në Ukrainë disa ditë më parë dhe ishte shkruar nga një djalë nëntë vjeçar pasi nëna e tij u vra nga ushtarët rusë, përcjell rtv21.tv
“Mami, kjo letër është dhurata ime për ty në ditën e gruas më 8 mars. Faleminderit për nëntë vjetët më të mira të jetës sime. Shumë faleminderit për fëmijërinë time. Ju jeni mamaja më e mirë në botë. Unë kurrë s’do të të harroj ty. Ju uroj fat në qiell. Ju uroj të arrini në parajsë. Do të përpiqem të sillem mirë për të arritur edhe në parajsë”, thuhet në letër.
Kyslytsya tha se nëna e djalit u vra nga ushtarët rusë kur ata u përpoqën të arratiseshin nga qyteti i tyre i pushtuar nga Rusia, me makinë. Djali qëndroi në automjet derisa banorët vendas ishin në gjendje ta shpëtonin dhe ta çonin në një strehë, tha tutje ambasadori ukrainas.
“Letra të tilla nuk duhet të shkruhen. Nëse janë, do të thotë se diçka ka shkuar tmerrësisht keq, përfshirë këtu në Kombet e Bashkuara”, tha Kyslytsya.
“Kjo do të thotë se mekanizmi i tij për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare nuk po funksionon siç duhet dhe duhet të rregullohet. Por a mund të rregullohen ato ndërkohë që Rusia lejohet të përdorë të drejtat e një anëtari të përhershëm? Nëse nuk jemi në gjendje të ndalojmë Kremlinin, gjithnjë e më shumë fëmijë do të mbeten jetimë. Gjithnjë e më shumë nëna do të humbasin fëmijët e tyre”, ka thënë ambasadori./21Media

Back to top button