Falja e tatimit në pronë, Ibrahimi: Komunat rrezikojnë humbjen e mijëra eurove për 2024

Komunat e Kosovës rrezikojnë të futen në kolaps gjatë 2024, nëse zbatojnë faljen e tatimit në pronë në vlerë 100 euro, derisa llogaritet që dëmi të jetë mbi 28 milionë euro. Në këtë situatë ndikon edhe mendimi juridik i Gjykatës Supreme, ku mësimdhënësit duhet të kompensohen për licencimin e tyre si dhe normën e inflacionit.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi në një intervistë për KosovaPress, derisa potencon se zbritja e normës tatimore për tatimpaguesit nga 0.15 për qind e vlerës së pronës në 0.10 për qind nga disa komuna, do të ndikojë në zvogëlimin e buxhetit të tyre.

Kohë më parë, Gjykata Kushtetuese ka publikuar aktvendimin në lidhje me çështjen e tatimit në pronë, ku thuhet se komunat duhet të vendosin vetë për faljen e tatimit në pronë dhe se ligji i kontestuar nga komunat nuk është në kundërshtim me ligjin e pushtetit lokal.

Ibrahimi thotë se disa komuna kanë marrë vendim për mos faljen e vlerës së faturës deri në 100 euro, meqë sipas tij komunat i kanë përgatitur buxhetet komunale më herët për vitin e ardhshëm.

Ibrahimi thekson se komunat rrezikojnë t’i kenë më pak rreth 28 milionë euro për investime kapitale gjatë vitit të ardhshëm, nëse e bëjnë faljen e tatimit në pronë. Po ashtu, Ibrahimi shton se në rast zbatimi të mendimit juridik nga Gjykata Supreme, sipas tij dëmi financiar i komunave do të jetë deri në 25 milionë euro.

Ndër të tjera, Ibrahimi thekson se komunat po ballafaqohen me një situatë kritike ku nuk do të mund të investojnë në projekte të ndryshme, të cilat janë paraparë me buxhetet komunale, në mënyrë që të përmirësohet jeta e qytetarëve.

Ai shton se Komuna e Pejës ka ulur normën tatimore, por nuk e ka përkrahur faljen e tatimit në pronë prej 100 eurove.

Ndërsa, lidhur me ndarjen e buxhetit 2024, Ibrahimi theksoi se shumica e Komunave nuk janë të kënaqur me ndarjen buxhetore.

Ndryshe, Kuvendi i Komunës së Gjilanit, sot ka miratuar propozim-vendimin për faljen e tatimit në pronë për vitin 2023 për të gjithë tatimpaguesit, deri në lartësinë e faturës, por jo më shumë se 100 euro. Njëjtë ka vepruar edhe Komuna e Vushtrrisë./kp

 

Back to top button