Hoxha viziton policët e lënduar gjatë përballjes me grabitësit e argjendarisë në Suharekë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha sot ka vizituar policin e plagosur dhe atë të lënduar, të cilët intervenuan në parandalim të grabitjes së armatosur në një argjendari më 22 nëntor 2023 në Suharekë.

Ai, po ashtu, sot pasdite, vizitoi në SHSKUK edhe zyrtarin policor, i cili u plagos sot gjatë operacionit policor për identifikim dhe arrestim të grabitësve të rastit në Suharekë.

Plagosja e zyrtarit ka ndodhur si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri drejt policisë nga njëri prej grabitësve.

Veprimet profesionale të zyrtarëve policorë, të cilët në vetëmbrojtje u detyruan të përdorin forcën proporcionale, bënë neutralizimin e grabitësit që shtiu me armë zjarri, si dhe arrestimin e disa të dyshuarve tjerë, thuhet në një komunikatë për media të Policisë së Kosovës të postuar në Facebook.

Drejtori Hoxha, fillimisht iu dëshiroi shërim të shpejtë zyrtarëve policorë dhe i falënderoi për punën, guximin dhe përkushtimin e vazhdueshëm për t’i shërbyer qytetarëve dhe vendit.

Njëkohësisht drejtori Hoxha shprehu mbështetje dhe përkrahje të pakursyer ndaj zyrtarëve policorë, dhe uroi që të kthehen së shpejti në familjen e madhe policore.

Ndryshe, Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjatë aksionit të sotëm është vrarë njëri prej të dyshuarve për grabitjen e armatosur në Suharekë.  Në njoftimin për media, policia ka bërë të ditur se janë arrestuar edhe katër persona të tjerë, ndërsa një tjetër gjende ende në kërkim policor.

Gjatë operacionit policor, një i dyshuar ka shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policorë duke ua rrezikuar jetën e tyre, me ç’rast është plagosur një zyrtar policor.

“Zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin forcën proporcionale, duke arritur të neutralizojnë një të dyshuar, përderisa katër të dyshuar të tjerë janë arrestuar. Deri më tani numri i të arrestuarve ka shkuar në shtatë persona, një i neutralizuar dhe një tjetër ende gjendet në kërkim policor”, ka njoftuar policia.

Back to top button