Familja e ish-zyrtarit të Doganës: Mos bëhen cilësime të rastit
Familja e ish-zyrtarit të Doganës së Kosovës, Luan Berisha, i cili u gjet pa shenja jete në oborr të Doganës në prill të këtij viti, e ka cilësuar të dëmshme e joprofesionale një deklaratë të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla, që të hënën u dëgjua teksa thotë “vetëvrasje” pak minuta pasi e motra e Berishës u kërkoi krerëve të shtetit zbardhjen e rastit.
Në reagim thuhet se deklarime si kjo veçse e komplikojnë dhe vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pandikuar.
“Konsiderojmë se deklarimet e tilla publike të zyrtarëve shtetëror e në veçanti të Ministrit të Punëve të Brendshme, për rastet që janë ende në fazën e hetimeve nuk i kontribuojnë hetimit profesional dhe të pavarur si dhe zbulimit të veprave penale dhe kryesve të tyre. Deklarimet e tilla vetëm sa e komplikojnë dhe e vështirësojnë një hetim të drejtë dhe të pa ndikuar , veçanërisht kur një Ministër merr guxim për të bërë kualifikimin ligjor të një vepre. Kjo është kompetencë ekskluzive e organit të akuzës, përkatësisht e prokurorit të rastit”, thuhet në reagim.
Duke kërkuar përmbajtje nga deklarimet lidhur me rastin, që është në fazë të hetimeve, familja dhe avokati kanë kërkuar edhe nga Prokurori i Shtetit të reagojë ndaj deklaratës dhe të mos lejojë “që cilësia e hetimeve të ndikohet nga deklarimet politike të zyrtarëve shtetëror apo cilitdo person tjetër”./21Media