Familjarët e të pagjeturve kërkojnë t’i marrin nga dy pensione

Në mbledhjen e Qeverisë, Haradinaj do të kërkojë të sigurohet buxhet për 24 shoqata të të pagjeturve

Pozita e mirëfilltë ligjore për të pagjeturit dhe përfaqësimi i të pagjeturve në dialogun Kosovë-Serbi, janë dy tema, të cilat sipas kryeministrit Ramush Haradinaj duhet të ndodhin për të pagjeturit që janë 1 mijë e 647 persona. Haradinaj po ashtu ka thënë se do t’i propozon delegacionit shtetëror të bashkëpunojë me ta.

Ai po ashtu ka thënë se nesër do t’i propozojë qeverisë në mbledhje që të sigurohet një buxhet për 24 shoqata të të pagjeturve.

“Shpresojmë që një ditë do të arrihet një marrëveshje me Serbinë, një marrëveshje e njohjes reciproke, por edhe një pajtim, dhe mendojmë se pa e shtri dorën e pajtimit ju përfaqësues të pagjeturve, edhe pajtimi është i zorshëm. E dëshirojmë që në periudhën para këtij dialogu që ta trajtojmë me respekt edhe këtë temë. Ende është një numër i të pa gjeturve që janë 1647, prej tyre serbë janë 444, disa prej të cilëve figurojnë të zhdukur para luftës, disa pas lufte, por kjo është një plagë për të gjithë ne, pa marrë parasysh edhe përkatësinë etnike”, ka thënë Haradinaj.

Meqenëse familjarët kanë kërkesa për ndryshimin  e ligjit, Zyra e Kryeministrit ka krijuar një grup për koncept dokumentin dhe në bashkëpunim me UNDP, me Ambasadën britanike, si dhe me përfaqësues të shoqatave, nga ky muaj do të fillohet mbahet nga një punëtori për zgjidhjen e kërkesave.

Jahja Lluka, koordinator për personat e pagjetur ka veçuar se kërkesë e familjarëve të të zhdukurve është që t’u lejohet t’i marrin nga dy pensione.

“Pensioni aktual, i cili është rreth 160 euro, nuk i mbulon nevojat e familjarëve dhe me ligjin e vjetër është bërë një lëshim meqenëse nuk është quajtur pension, e dy pensione nuk mund t’i marrin, familjarëve të të zhdukurve iu ka ndaluar pensioni kontribut-dhënës apo i pleqërisë, dhe kjo është kërkesa kryesore e familjarëve që t’iu mundësojmë që për punën që e kanë bërë për disa vite mos t’ua ndalë qeveria me një urdhëresë administrative, të cilën e ka bërë ish-ministri në qeverinë e kaluar”, ka theksuar Lluka.

Edhe pse kryeministri ka kërkuar ta dijë koston shtesë, Lluka ka thënë se ende nuk dihet kostoja shtesë për pensionet.

Ndërsa, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Prenk Gjeta ka thënë se familjarët kanë kërkesa për ndryshimin e Ligjit për të pagjeturit, dhe siç tha ai janë duke i intensifikuar punët me Zyrën e Kryeministrit.

“Prej që është emëruar bartës i dosjes Jahja Lluka, kemi intensifikim të punës dhe angazhimeve për këtë çështje dhe për procedurën e ndryshimit të amendamentit të plotësimit dhe kërkesave të familjarëve me ligjin e ri, sepse familjarët vërtet kanë shumë vërejtje, kanë shumë kërkesa, mirëpo ato ndryshohen me procedura të rregullta”, ka thënë Gjeta.

Ndryshe, familjet e të të zhdukurve kërkojnë që të vazhdojnë ta marrin pensionin edhe pas gjetjes së familjarëve të tyre.

Në këtë takim Haradinaj është zotuar se nuk do të ketë marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë pa e zgjatur dorën e pajtimit dhe se do të ndriçohen rastet e të pagjeturve.

Back to top button