Familjarët të prekur pas incidentit, mes emocionesh rrëfejnë përjetimet e 13 shkurtit

Ngjarja e 13 shkurtit tronditi Maqedoninë e Veriut e më gjerë

Familjarët e të lënduarve nga aksidenti i 13 shkurtit para kamerës, tregojnë se si e kanë përjetuar momentin kur kanë kuptuar se të afërmit e tyre gjenden në autobusin i cili u nis nga Shkupi për në Gostivar por që nuk arriti në vendin për ku edhe u nis.

Xheladin Fejzullahu, vëllai i Xhelil Iljazit i cili është në mesin e të lënduarve, thotë se vëllai i tij është në gjendje të rëndë shëndetësore. Ai është prind i tre fëmijëve.

“Na ra ky rasti i  autobusit, vëllai nuk e din as veten ku e ka as fëmijët as shoqen ku e ka. Qe tre ditë që rri në spital, nuk mundem të takohem me vëllain ta shoh se si e ka gjendjen. Mjekët na thonë se për momentin është në gjendje të rëndë por kemi shpresa që do të shpëtojë”, deklaroi Xheladin Fejzullahu

Sipas informacioneve që i ka ai, vëllai i ti e ka të lënduar kokën, është i shtypur në gjoks dhe sipas asaj që u kanë thënë mjekët, e ka edhe krahun e thyer.

Ndërkaq edhe vëllai i Abdulbahri Ismailit thotë se ka udhëtuar për çdo ditë nga Gostivari për tu informuar për gjendjen e tij shëndetësore.

“Vëllai im më tha se nuk ka parë asgjë, vetëm e ka shikuar shoferin. Më tha që ka qenë afër shoferit dhe më tha se edhe shoferi ishte i çuditur. Të gjithë ishin në gjendje të tillë. Nuk tregonin asnjë informatë, po ashtu erdhi rasti . Për vizitat njëherë nuk lironin. Nuk e dinim si është. Vëllai është mirë tash do të dalë nga spitali”, deklaroi vëllau i Abulbahri Ismaili.

Ndërkaq në spitalin “8 Shtatori” ishte edhe Tërpko Tërpkovski i cili kishte udhëtuar nga Vollkova për të takuar mikun e vet i cili kishte qenë në autobus.

Nuk më lëshojnë të shkoj ta shoh shokun se nuk është kohë për vizitë, por më informuan se është këtu dhe nuk është në gjendje të rëndë por desha ta shoh. Kam edhe miq të tjerë të etnitetit shqiptar, menjëherë jam paraqitur në telefon u’a kam dëgjuar zërin në Gostivar falë zotit i’a dëgjova zërin dhe më thanë që nuk ishte në atë autobus”, deklaroi Tërpko Tërpkovski.

Ndryshe në spitalin “8 shtatori” janë të hospitalizuar 22 persona. Nga atje thonë se nuk kanë nevojë për gjak.

Back to top button