Federata e Serbisë çon ankesë zyrtare në UEFA kundër Mirlind Dakut

Federata e Futbollit të Serbisë i ka dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të UEFA-s, Teodor Teodoridis, pas ndeshjes ndërmjet Kroacisë dhe Shqipërisë (2:2).

Federata e Futbollit të Serbisë ka kërkuar të sanksionohen dy federatat, ato të Shqipërisë dhe të Kroacisë.

Po ashtu, Federata e Futbollit serb është ankuar zyrtarisht edhe për rastin e Mirlind Dakut, i cili në përfundimin e sfidës ka marrë megafonin e tifozëve dhe ka brohoritur siç pretendohet kundër maqedonëve dhe serbëve.

“Federata e Futbollit të Serbisë ju drejtohet në lidhje me ngjarjet në ndeshjen e djeshme të turneut final EURO 2024 ndërmjet ekipeve kombëtare të Kroacisë dhe Shqipërisë (Faza e grupit, Grupi B, Hamburg, 19.06.2024), kur pati një thirrje të përbashkët të turpshme nga tifozët e të dyja kombëtareve, e cila drejtohej kundër kombit serb në tërësi”, thuhet në reagim.

“Sipas informacioneve që kemi, një lojtar i skuadrës shqiptare, pas përfundimit të lojës, përballë tribunës me tifozët shqiptarë, ka përdorur megafonin për të brohoritur të njëjtat thirrje dhe në këtë mënyrë duke ndezur turmën”, vazhdon reagimi.

Federata e Futbollit të Serbisë ka thënë se në momentin kur ka nisur brohoritja e lartpërmendur nga tifozët e të dyja kombëtareve, loja është dashur të ndërpritet.

Back to top button