Fëmijë të vrarë nga bombardimi i disa ndërtesave në Ukrainë

Tre persona, dy prej tyre fëmijë, janë vrarë nga një sulm në një bllok banesash në qytetin lindor të Rubizhnes, tha kreu i autoritetit ushtarak në Luhansk, Serhiy Haidai.

“Tragjedia ndodhi në mbrëmje, kur ushtria ruse intensifikoi granatimet. Një predhë shpërtheu në katin e pestë”, tha Serhiy Haidai, i cili shtoi se zjarri shpërtheu në një biznes dhe një institucion arsimor.

Rajoni i Luhanskut është një nga objektivat kryesore të ushtrisë ruse pasi ajo përpiqet të kapë zonat lindore që nuk u kapën nga separatistët e mbështetur nga Rusia në luftën që ka filluar në vitin 2014, shkruan BBC, përcjell rtv21.tv

Në fundjavë Haidai tha se më shumë se 60 civilë ishin vrarë në rajon që nga fillimi i luftës, më 24 shkurt.

Një nga qytetet më të goditura është Severodonetsk dhe kreu i ushtrisë rajonale tha se ishte rënë dakord për një korridor evakuimi si për atë qytet ashtu edhe për Rubizhne, por ai paralajmëroi njerëzit që përpiqeshin të largoheshin, për rrezikun e bombardimeve të mëtejshme./21Media

Back to top button