Fëmijët drejt malit, u sigurohet qasje në aktivitete sportive
Në kuadër të programit “Drejt Malit”, në Brezovicë u mbajtë performanca e skijimit nga fëmijët e shkollave të ndryshme,
Me pesë partnerë të programit, me mbi 400 nxënës pjesëmarrës, e me mbi 100 instruktorë, vullnetarë, mësimdhënës, kujdestarë të veçantë dhe prindër, ky program, tha Keryeministri Albin Kurti, shënon angazhimin tonë të përbashkët për zhvillimin e shëndetit të fëmijëve dhe edukimin jo-formal përmes aktivitetit fizik.
“Kjo është hera e parë, që Qeveria e Kosovës mbështet organizimin dhe zbatimin e një programi të këtij lloji, përmes së cilit u sigurohet fëmijëve, nxënësve të shkollave fillore të Kosovës qasje në aktivitete sportive – malore”, thuhet në njoftimin e Qeverisë
“Kjo bëhet e mundshme, vetëm atëherë kur ekziston lidhje e ngushtë e arsimit me sportin dhe e sportit me shëndetin”, u shpreh kreu i Qeverisë.
Përtej kësaj, kryeministri tha se programi “Drejt Malit” flet edhe për kapacitetet madhështore që Malet e Sharrit kanë për zhvillimin e sportit dhe turizmit malor dhe se kjo është sezona e parë dimërore e 20 viteve të fundit, që qendra e skijimit Brezovica ka rregulluar statusin e saj të funksionimit dhe ka kthyer imazhin e saj prej një margaritari të bardhë.
Teksa ka folur për karakteristikat që e veçojnë Brezovicën, Kurti përmendi edhe pjesëmarrjen e dytë në Lojërat Olimpike Dimërore me dy sportistë të rinj, Albin Tahiri dhe Kiana Kryeziu.
Ky program do të vazhdojë të zbatohet edhe në vitet në vazhdim, bëri të ditur kryeministri, me synimin që të rrisim numrin e nxënësve pjesëmarrës dhe fëmijëve që skijojnë në Kosovë.
Para medieve, ndër të tjerash kryeministri tha se i ka bërë përshtypje bashkëpunimi në mes komuniteteve që punojnë dhe frekuentojnë qendrën e Brezovicës, duke e bërë kështu Brezovicën një tregim të suksesit e komunitetit të integruar pa dallim.
Pas ceremonisë, së bashku me zëvendësministren e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, kryeministri vizitoi edhe pikën më të lartë të pistës së skijimit, që shfrytëzohet nga skiatorët./21Media

