Ferati: Sasitë e ujit janë të mëdha dhe lëvizja e ujit është me shpejtësi të madhe

Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati e konsideron të rëndë gjendjen në këtë komunë si pasojë e vërshimeve. Ai thotë se situata është e ngarkuar me sasi të ujit më shumë se herën e kaluar kur kjo komunë u përball me vërshime.
Megjithatë ai thotë se vërshimet nuk janë përhapur në gjithë territorin e komunës së Istogut dhe se banorët nuk janë në rrezik. Por thekson se dëmet janë më të mëdha.
“Po përsëritet për herën e dytë pothuajse brenda 1 muaji, gjendja është e keqe dhe mund te them se është më e ngarkuar me sasi të ujit se herën e kaluar, mirëpo fatmirësia është që nuk është e hapur në gjithë territorin e komunës qysh ka qenë herën e kaluar”, ka thënë ai.
Në këtë komunë janë tetë fshatra të cilat po përballën me vërshime derisa fshati Drejë shënon 12 familje që vazhdojnë të jenë të bllokuara deri në arritjen e ekipeve të FSK-së për evakuim.
Ferati thotë se të gjithë banorët e bllokuar do të largohen sot nga shtëpitë e tyre.
“Sasitë e ujit janë të mëdha dhe levizja e ujit është me shpejtësi të madhe por fatmirësisht është jashta për me rreziku jetën e qytetarëve. Nuk po ndodh për herë të parë por po ndodh për herë të parë me ketë sasi. Do të shkojmë deri të shtëpia e fundit që të ju tregojmë që shteti, komuna është afër tyre në këtë ditë të vështirë”, ka thënë ai.
Ai thotë se familjet e prekura nga vërshimet do të përkrahen për sanimin e dëmeve.
“Fillimisht ofrimi i gjërave bazike, rroba, batanije, dhe ushqim, ofrimi i strehës zakonisht përdoren familjarët qe i kanë më të afërt, pastaj ekipet tona dalin të bëjnë vlerësimin e situatës dhe dëmeve dhe u drejtohemi Agjensionit të Emergjencave në Ministrinë e Brendshme , qe sado pak të ua lehtësojmë dënim që u ka ndodh”, thotë kryetari i Istogut.
12 familje në fshatin Drejë të Istogut kanë mbetur e po presin që të evakuohen meqë kanë mbetur të bllokuara pas reshjeve të dendura të shiut.
Ekipet emergjente të komunës dhe zjarrfikësit nuk kanë arritur të depërtojnë në këto shtëpi dhe po presin ekipet e FSK-së që t’u dalin në ndihmë.
Deri më tani, janë dy familje shtëpitë e të cilëve ndodhen në fillim të fshatit Drejë, të cilat kanë arritur të evakuohen./kp

Back to top button